E Diel, 1 Nëntor 2026

LIVE/ Tensione në protestë, studentët hedhin fishekzjarre drejt Bashkisë, disa të shoqëruar

Tensione janë shënuar në protestën e nxënësve dhe studentëve në Tiranë, ku protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të forcave të policisë, ndërsa efektivët janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe topa uji. Nxënës dhe studentë kanë bojkotuar procesin mësimor dhe kanë dalë në protestë në Tiranë, Shkodër, Korçë dhe Durrës, duke kërkuar ndryshime dhe duke marshuar në rrugët e qyteteve.

Në kryeqytet, protesta nisi me marshimin e nxënësve dhe studentëve në disa rrugë, duke kaluar fillimisht pranë Parlamentit dhe më pas në rrugën e Durrësit, në drejtim të Ministrisë së Arsimit. Protestuesit janë pozicionuar në të dyja anët e rrugës së Durrësit, ku policia ka ndërhyrë me dy autobotë uji, ndërsa situata është tensionuar pas përplasjeve me gurë dhe përdorimit të gazit lotsjellës. Gazetarja Flutura Tota ka bërë me dije se në disa protestues janë shoqëruar nga policia pas akteve të dhunës.

Më pas, protestuesit marshuan drejt Bashkisë së Tiranës, duke hedhur gurë dhe fishekzjarre në drejtim të institucionit.

Pranë shkollës “Partizani”, raportohet se disa nxënës u kanë vënë flakën kontejnerëve të mbeturinave. Ndërkohë, edhe nxënës nga Kamza janë nisur drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës. Në terren janë angazhuar forca të shumta policie, të cilat kanë marrë masa për ruajtjen e rendit dhe parandalimin e dëmtimit të objekteve.

Protesta është shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit. Në Divjakë, Vlorë dhe Durrës, nxënësit kanë bojkotuar mësimin. Edhe studentët në Shkodër i janë bashkuar tubimit, duke bojkotuar procesin mësimor dhe marshuar në rrugët e qytetit me pankarta në duar, ndërsa ndër sloganet e tyre është edhe thirrja për revolucion. Ndërkohë, në Korçë, nxënësit kanë bojkotuar mësimin dhe pritet t’i bashkohen studentëve në protestë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›