E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

LONDËR – BM, Italia dhe Japonia do të prodhojnë avionë luftarakë të gjeneratës së ardhshme

LONDËR, 13 dhjetor /ATSH-AFP/- Britania e Madhe, Italia dhe Japonia nisën sot një sipërmarrje të përbashkët për të zhvilluar një avion luftarak supersonik të gjeneratës së ardhshme deri në vitin 2035, duke zëvendësuar “Eurofighter Typhoon”.

“BAE Systems” e Britanisë se Madhe, “Leonardo” e Italisë dhe “Aircraft Industrial Enhancement Co Ltd” (JAIEC) e Japonisë – do të kenë secila një aksion prej 33,3 përqind në sipërmarrjen e re – duke shënuar një moment kyç për industrinë ndërkombëtare të hapësirës ajrore dhe të mbrojtjes.

JAIEC është një kompani e financuar bashkërisht nga “Mitsubishi Heavy Industries” (MHI) dhe Shoqëria e Kompanive Japoneze të Hapësirës Ajrore.

“Marrëveshja u arrit pas shumë muajve pune së bashku me partnerët tanë të industrisë dhe është një dëshmi e punës së palodhur të të gjithëve të përfshirë në këtë program strategjikisht të rëndësishëm”, tha Charles Woodburn, shefi ekzekutiv i “BAE Systems”.

Sipërmarrja do të bashkojë fuqitë dhe ekspertizën e rëndësishme të kompanive të përfshira – për të krijuar një organizatë inovative që do të udhëheqë rrugën në zhvillimin e një sistemi ajror luftarak të gjeneratës së ardhshme – duke krijuar vende pune afatgjata, me vlerë të lartë dhe të kualifikuar në të gjithë vendet partnere për dekadat në vijim”, shtoi ai.

Të tre partnerët kanë rënë dakord të formojnë një kompani të re nën drejtimin e Programit Global Combat Air (GCAP), një iniciativë shumëkombëshe e themeluar nga BM-ja, Japonia dhe Italia në vitin 2022 – për të zhvilluar një “stealthfighter” të gjeneratës së gjashtë për të zëvendësuar “Typhoon” dhe F-2 e Japonisë.

Sipërmarrja e përbashkët pritet të themelohet nga mesi i vitit 2025 dhe do të ndërmarrë projektimin dhe zhvillimin e avionit GCAP. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›