LONDËR – BM dërgon luftanije në LM për sigurinë në Hormuz

LONDËR, 9 maj /ATSH-DPA/ – Një luftanije e Marinës Mbretërore britanike po dërgohet në Lindjen e Mesme për t’u përgatitur për një mision ndërkombëtar që synon mbrojtjen e lundrimit detar në Ngushticën e Hormuzit.
Destrojeri, “HMS Dragon”, do të pozicionohet paraprakisht në rajon, në gatishmëri për t’iu bashkuar iniciativës së udhëhequr nga Britania e Madhe dhe Franca sapo të përfundojnë armiqësitë mes Iranit dhe forcave amerikano-izraelite.
Një armëpushim i brishtë mbetet ende në fuqi, megjithëse u panë dje sulme ku forcat amerikane goditën cisterna iraniane që po përpiqeshin të thyenin bllokadën e vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump.
Misioni i propozuar, i mbështetur nga kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron, do të përfshijë një koalicion shtetesh të gatshme për të garantuar lirinë e lundrimit në këtë ngushticë strategjike, e cila është jetike për furnizimet globale me naftë, gaz dhe mallra të tjera, përfshirë plehrat kimike.
Një zëdhënës i Ministrisë britanike të Mbrojtjes deklaroi se “’HMS Dragon'” do të dislokohet në Lindjen e Mesme për t’u pozicionuar paraprakisht në pritje të çdo misioni shumëkombësh të ardhshëm për mbrojtjen e transportit ndërkombëtar detar, sapo kushtet të lejojnë kalimin në Ngushticën e Hormuzit”.
Sipas tij, kjo lëvizje është pjesë e “planifikimit të kujdesshëm” për të siguruar që Britania e Madhe të jetë gati, së bashku me Francën dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, për të garantuar sigurinë në këtë korridor strategjik detar.
Vendimi për të zhvendosur “HMS Dragon” nga Mesdheu ku kishte mbrojtur bazat britanike në Qipro, do t’i mundësojë anijes të marrë pjesë menjëherë në mision nëse ai nis zyrtarisht.
Rreth 40 shtete janë të përfshira në planin shumëkombësh për shoqërimin e anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit, sapo situata e sigurisë ta lejojë këtë. /Ad.Ab./ a.jor.