E Enjte, 5 Nëntor 2026

LONDËR – BM i bashkohet thirrjes së liderëve francezë dhe gjermanë për shmangien e përshkallëzimit në LM

LONDËR, 12 gusht /ATSH-DPA/- Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer u është bashkuar liderëve francezë dhe gjermanë në thirrjen për shmangien e përshkallëzimit te konfliktit dhe stabilitetin rajonal në Lindjen e Mesme.

Në një deklaratë të përbashkët, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz, të lëshuar të hënën, i kërkuan Iranit dhe aleatëve të tij të mos “rrezikonin” mundësinë për të rënë dakord për armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Gazë.

Starmer zhvilloi një bisedë telefonike me liderët në Lindjen e Mesme javën e kaluar, presidentin e Egjiptit Abdel-Fattah al-Sissi dhe Haitham bin Tariq Al Said, Sulltani dhe kryeministri i Omanit.

Deklarata evropiane pasoi një mesazh të ngjashëm nga presidenti amerikan Joe Biden, presidenti egjiptian al-Sissi dhe Tamim bin Hamad bin Khalifa Al Thani, Emir i Katarit.

Ata miratuan një kornizë trefazore – ku i kërkohej Izraelit të tërhiqte trupat e tij nga Gaza, Hamasi të kthente pengjet në familjet e tyre dhe shpërndarjen e sigurt dhe efektive të ndihmës humanitare.

“Ne, udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe – mirëpresim punën e palodhshme të partnerëve tanë në Katar, Egjipt dhe SHBA – drejt një marrëveshjeje për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve”, shkruan Starmer, Macron dhe Scholz.

“Ne jemi dakord që nuk mund të ketë vonesa të mëtejshme. Ne kemi punuar me të gjitha palët për të parandaluar përshkallëzimin dhe nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për të ulur tensionet dhe për të gjetur një rrugë drejt stabilitetit”, thuhet në deklaratë.

Lufta duhet të përfundojë tani dhe të gjithë pengjet e mbajtur nga Hamasi duhet të lirohen. Populli i Gazës ka nevojë për shpërndarje urgjente dhe të papenguar të ndihmës”, sipas deklaratës.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga tensionet e rritura në rajon dhe të bashkuar në angazhimin tonë për shmangien e përshkallëzimit dhe stabilitetin rajonal”, thuhet në deklaratë.

“Në këtë kontekst, i bëjmë thirrje Iranit dhe aleatëve të tij të vetëpërmbahen nga sulmet që do të përshkallëzojnë më tej tensionet rajonale dhe do të rrezikojnë mundësinë për të rënë dakord për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve. Asnjë vend apo komb nuk do të përfitojë nga një përshkallëzim i mëtejshëm në Lindjen e Mesme”, sipas deklaratës. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›