E Hënë, 2 Nëntor 2026

LONDËR – BM-ja ndihmon Ukrainën për zgjedhjet pas luftës

LONDËR, 19 gusht /ATSH-DPA/ – Organi mbikëqyrës i zgjedhjeve në Britaninë e Madhe  ka rënë dakord të ndihmojë homologët e tij ukrainas në planifikimin e zgjedhjeve pas luftës.

Marrëveshja e bashkëpunimit do të shohë Komisionin Zgjedhor të ndajë me Kievin praktikat më të mira mbi sigurinë kibernetike dhe edukimin e votuesve kur ukrainasit të shkojnë sërish në votime.

Aktualisht, zgjedhjet në Ukrainë janë pezulluar për shkak të ligjit ushtarak që është vendosur pas pushtimit rus në shkurt 2022.

“Organizimi i zgjedhjeve të rregullta që fitojnë besimin dhe sigurinë e publikut është thelbësor për një demokraci të shëndetshme dhe të lirë”, tha drejtori ekzekutiv i komisionit, Vijay Rangarajan.

“Ne jemi krenarë që mirëpresim kolegët dhe miqtë tanë nga Ukraina në Mbretërinë e Bashkuar dhe të nënshkruajmë këtë marrëveshje bashkëpunimi. Ka shumë gjëra që mund të mësojmë nga njëri-tjetri dhe forcimi i lidhjeve mes nesh do të na ndihmojë të ndajmë përvojë dhe dije gjatë viteve që vijnë. Ne jemi të gatshëm ta mbështesim Ukrainën ndërsa përgatitet për zgjedhjet e ardhshme pas luftës”, shtoi ai.

Memorandumi i mirëkuptimit me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Ukrainës, i nënshkruar në Londër, do të mundësojë që dy organizatat të ndajnë informacione për të ndihmuar autoritetet ukrainase në planifikimin e zgjedhjeve pas luftës.

Delegacioni ukrainas zhvilloi disa takime në Britaninë e Madhe sipas komisionit, mbi çështje si dezinformimi, ndërhyrjet e huaja, siguria fizike dhe siguria kibernetike, si dhe diskutime mbi rregullimin e financimit politik.

“Konsideroj se nënshkrimi i memorandumit mes institucioneve tona është një moment historik që do të nxisë bashkëpunimin tonë dhe, përmes shkëmbimit të përvojave dhe marrjes së praktikave më të mira, do të ndihmojë në forcimin e vlerave demokratike në Ukrainë,” tha kryetari i komisionit ukrainas, Oleh Didenko.

“Ndërsa përgatitemi për zgjedhje sfiduese pas luftës, vendosja e bashkëpunimit dhe njohja me procese të rëndësishme si votimi jashtë vendit dhe lufta kundër dezinformimit do të na mundësojnë të përgatitemi në mënyrë efektive dhe efikase për zgjedhjet më të vështira në historinë e vendit tonë”, përfundoi  Didenko.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›