LOS ANXHELES – Shira të rrëmbyeshëm dhe përmbytje, rrezik rrëshqitje toke

LOS ANXHELES, 16 nëntor /ATSH-DPA/ – Autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për përmbytje në disa zona të Los Anxheles pasi reshje të mëdha shiu dhe erëra të forta goditën Kaliforninë jugore.
Shërbimi meteorologjik bëri thirrje për kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat e prekura nga zjarret e rënda të janarit, duke paralajmëruar rrezik rrëshqitjesh dherash.
Banorët në distriktet e prekura u paralajmëruan të evakuohen shpejt në rast emergjence.
Qyteti i Santa Monikës i këshilloi njerëzit të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme dhe të mos përdorin rrugët e përmbytura në asnjë rrethanë.
Për shkak të stuhisë, përrenjtë dhe lumenjtë në Kaliforni kanë dalë nga shtrati, dhe disa rrugë në zonat më të prekura janë mbyllur.
Shirat e dendur mund të jenë veçanërisht të rrezikshëm pas zjarreve, kur toka mbetet e zhveshur. Në vitin 2018, pas zjarreve të mëdha në zonën e Santa Barbarës, reshjet e forta shkaktuan rrëshqitje dherash që shkatërruan qindra shtëpi dhe vranë më shumë se 20 persona.
Dy zjarre të mëdha shkatërruan mbi 16 000 ndërtesa në Los Anxheles në fillim të këtij viti. Zjarrfikësve iu deshën javë të tëra për t’i vënë nën kontroll flakët, të cilat shkaktuan të paktën 31 viktima. /Ad.Ab./