E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, Haxhinasto: Kolegji zgjedhor, pjesë e rëndësishme e procesit zgjedhor

Tiranë, 22 korrik NOA Kryetari i KDK-së së LSI-së, Edmond Haxhinasto, ka dhënë një deklaratë për shtyp sot ku është shprehur se  Lëvizja Socialiste për Integrim vlerëson qëndrimin e Ambasadorëve të SHBA dhe BE në lidhje me veprimtarinë e Kolegjit zgjedhor, si pjesë e rëndësishme e procesit zgjedhor.

LSI tashmë ka deklaruar publikisht se të gjithë institucionet pjesëmarrës në procesin zgjedhor duhet të kryejnë detyrat e tyre funksionale kushtetuese e ligjore në mënyrë të pavarur, të pandikuar nga presionet politike të cilitdo kah qofshin ato.

Ne inkurajojmë një proces ligjor e të shpejtë për vlerësimin e ankesave dhe për shpalljen përfundimtare të rezultatit zgjedhor tha Haxhinasto.

Sigurisht që ky lloj inkurajimi, ashtu si edhe qëndrimi i djeshëm i ambasadoreve, nuk do të ishin të nevojshëm nëse procesi zgjedhor do të kishte funksionuar sipas standardeve në të gjithë hallkat e tij, standarde që LSI i ka kërkuar me forcë gjatë katër viteve të fundit.

Prandaj, me qëllim që këto defekte të mos përsëriten përsëri në proceset e ardhshme zgjedhore, është e domosdoshme që një nga objektivat kryesore të legjislaturës së re është përgatitja e një Kodi Zgjedhor që prodhon procese zgjedhore të pakontestueshme dhe sipas standardeve që na kualifikojnë si vend anëtar i Bashkimit Evropian përfundoi Haxhinasto.

k.k/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›