LSI: Vizat, brenda 6-mujorit të parë të 2010-ës

Viti 2009 shënoi edhe një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, paraqitjen e kërkesës për statusin e vendit kandidat dhe marrjen e pyetësorit, dhe veçanërisht progresin në liberalizimin e plotë të vizave që do të konkretizohet në gjysmën e parë të 2010-tës! Kështu ka deklaruar Zëvendëskryetari i LSI-së Edmond Haxhinasto në një konferencë për shtyp. Sipas tij përgatitja e pyetësorit është një ndërmarrje madhore e shtetit dhe administratës shqiptare, një përgjegjësi mbarëkombëtare dhe mbi-partiake.
"Ne emër të LSI shpreh angazhimin maksimal të saj si forcë politike parlamentare, dhe të gjithë përfaqësuesve të saj në administratën shtetërore për plotësimin me sukses e në kohë të kësaj sfide të jashtëzakonshme që tregon jo vetëm kapacitetet kombëtare për të vlerësuar stadin zhvillimor të sotëm por edhe vizionin tonë për të ardhmen" theksoi Haxhinasto.
Ai shtoi gjithashtu se përshëndet zërat racionale qe vijnë nga opozita, akoma në rrugë, për t'u kthyer në parlament dhe për të kontribuar në këtë proces dhe ushtruar përgjegjësitë për të cilat i votoi elektorati në 28 qershor.
"Përgjegjësitë kombëtare ndaj integrimit nuk ushtrohen nga qoshet e konferencave te shtypit që përpiqen te nxijnë çdo realitetin, por me kontribute konkrete legjislative dhe me mbështetje e vullnet të qartë politik theksoi haxhinato duke shtuar se çdokush duhet ta kuptojë se procesi i integrimit është i pakthyeshëm dhe viti 2010 do të sjellë më shumë Evropë në Shqipëri.