LSI nënshkruan Kontratën e Gjelbër. Meta: Do jemi gjithmonë avokatë të çështjeve të mjedisit
Lëvizja Socialiste për Integrim nënshkroi sot atë që quhet Kontrata e Gjelbër me Zyrën Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit.
Kryetari i LSI, Ilir Meta, tha se LSI ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një avokate e çështjeve të mjedisit.
Ne si vend vazhdojmë ende të paguajmë pasojat e një degradimi ambiental apo të betonizimit të shumë prej qyteteve dhe komunave tona, siç është rasti tipik i Durrësit por edhe shumë raste të tjera. Prandaj, në këto kushte planifikimi urbanistik merr një rëndësi të jashtëzakonshme.
Ne besojmë fort tek një zhvillim ekonomik që bashkëjeton me një Shqipëri ekologjike. Dhe tek sensibilizimi dhe roli i qytetarëve për ruajtjen dhe për mbrojtjen e mjedisit sepse kjo ka të bëjë shumë me cilësinë e jetës së tyre dhe të shëndetit të tyre, tha Meta.
I pyetur se çfarë mendon për premtimin e PS se do të anulojnë brenda 100 ditësh në qeverisje ligjin për importin e plehrave, Meta tha: Lëvizja Socialiste për Integrim për çdo vendim të rëndësishëm që ka të bëjë me mjedisin do të konsultohet me shoqërinë civile, me zyrën qytetare për mbrojtjen e mjedisit dhe me të gjithë ekspertët e tjerë të kësaj fushe. Mbrojtja e mjedisit do të jetë prioritet i jashtëzakonshëm për ne sepse janë bërë mjaft gabime në të kaluarën edhe për shkak të mungesës të ekspertizës së kërkuar, pra nuk është kërkuar ekspertiza, edhe për shkak të nënvlerësimit të impaktit mjaft të rëndësishëm që ka mjedisi në cilësinë e jetës së qytetarëve por edhe në pasojat e pallogaritshme ekonomike që sjell dëmtimi i mjedisit./ep