LSI për aksidentet: Pushuesit të tregojnë kujdes në rrugë, policia në gatishmëri

Tiranë, 27 korrik NOA LSI ka reaguar sot më anë të zëdhënësit të saj, për aksidentet rrugore që kanë ndodhur gjatë dy ditëve të fundit të cilat shkaktuan vdekjen e shtatë personave dhe plagosjen e disa të tjerëve.
LSI u bën apel pushuesve të tregojnë më shumë kujdes ndërsa inkurajon policinë dhe ndihmën e shpejtë të rrisin gatishmërinë.
Duke ngritur shqetësimin tonë për aksidentet rrugore të ditëve të fundit, dëshirojmë të theksojmë se siguria e jetës së qytetarëve në rrugët e Shqipërisë është e kërcënuar prej mungesës së zbatimit të rregullave të qarkullimit dhe trafikut të dendur.
LSI i bën apel së pari pushuesve shqiptarë që udhëtojnë këto ditë të nxehta, dhe në veçanti emigrantëve shqiptarë që janë kthyer në atdhe për pushime, të tregojnë kujdes maksimal në rrugët e Shqipërisë duke respektuar rregullat e qarkullimit dhe duke iu përmbajtur kufijve të shpejtësisë në mënyrë që të minimizohen shanset e aksidenteve vdekjeprurëse deklaroi Ralf Gjoni, zëdhënësi i LSI-së.
Inkurajojmë gjithashtu forcat e policisë rrugore dhe ato të ndihmës së shpejtë të tregojnë gatishmëri më të lartë dhe efikasitet në ushtrimin e detyrës duke u siguruar për zbatimin e rregullave të qarkullimit prej motoristëve, për marrjen e masave ndëshkimore ndaj shkelësve të ligjit pa toleruar asnjë rast, si dhe për dhënien në kohë të ndihmës së shpejtë në mënyrë që probabiliteti i humbjes së jetës për të aksidentuarit të reduktohet në maksimumin e mundshëm shtoi më tej Gjoni.
k.k/NOA