Lajçak: Bisedimet me Vuçiç, të vështira! Escobar: Kosova e Serbia të zotohen se s’do ketë dhunë

I dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i kanë cilësuar bisedimet presidentin serb, Aleksandër Vuçiç si “të vështira dhe të gjata”. Bisedimet kanë vijuar edhe gjatë mbrëmjes në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak tha se Vuçiç u tregua i përgjegjshëm gjatë bisedimeve dhe iu kërkua që të zbatonte të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani.
“Pas një rundi të dytë diskutimesh mbrëmë vonë, shpresoj se jemi në rrugën e duhur. E vlerësoj përpjekjet e sinqerta të presidentit serb për të mbështetur një zgjidhje europiane. Bisedimet tona do të vazhdojnë. Patëm një diskutim të vështirë, por të përgjegjshëm me presidentin e Serbisë. I përcolla mesazhet dhe theksova se të gjitha marrëveshjet në dialogut duhet të zbatohen, përfshirë edhe marrëveshjen e vitit 2011 për lirinë e lëvizjes. Ne do të vazhdojmë bisedimet tona më vonë sonte”, tha Lajçak.
Edhe Escobar tha se “vlerësojmë angazhimin e presidentit për paqen dhe stabilitetin. Do të vazhdojmë bisedimet”. Escobar ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zotohen se nuk do të ketë dhunë.
“Dialogu nuk është klinikisht i vdekur, unë nuk jam pjesë e dialogut, Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e dialogut, por ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Shpresoj që deri në fund të muajit ne do të gjejmë rrugë për të vazhduar. Në të njëjtën kohë, dialogu do të vazhdojë. Të gjitha marrëveshjet do të duhet të zbatohen, përfshirë formimin e Asociacionit. Ne u kemi thënë liderëve të Kosovës dhe Serbisë se ne presim që çështja e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve ekzistuese të jetë në agjendën e takimit të radhës, ne nuk presim që të arrihet marrëveshje atëherë, mirëpo natyrisht që presim të jetë në agjendë”, tha Escobar
Për takimin edhe presidenti Vuçiç tha se “kemi pasur biseda të vështira me Lajçakun dhe Escobarin”, por shtoi se nuk do të heq dorë nga interesat jetike kombëtare dhe shtetërore, e mbi të gjitha interesat dhe siguria e serbëve në Kosovë.
Kurse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vijon t’i qëndrojë vendimit për reciprocitetin e letërnjoftimeve dhe targave serbe që do të hyjë në fuqi nga 1 shtatori.
/rtsh.al/