Lajmi për aksident, Basha: Jam gjallë e mirë; Rama: Mos e prish gjumin për kaq gjë

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Një lajm i rremë se Lulzim Basha kishte ndërruar jetë pas një aksidenti automobilistik është shpërndarë gjatë ditës së sotme në disa medie.
Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha mohoi lajmin, ndërsa u shpreh se “njerëzit që duan që të përhapen këto lajme të rreme, janë po ata që duan të shkatërrojnë Shqipërinë”.
“Ndoshta disa do të trishtohen, por ndryshe nga lajmi i rremë që është përhapur, jam gjallë e mirë dhe nuk kam vdekur në një aksident automobilistik. Njerëzit që duan që të përhapen këto lajme të rreme, janë po ata që duan të shkatërrojnë Shqipërinë.
Unë dhe ju nuk do t’i lejojmë”, u shpreh Basha përmes rrjeteve sociale.
Ndërsa ripostoi në rrjetet sociale reagimin e Bashës, kryeministri Edi Rama u shpreh: “Mos e prish gjumin për kaq gjë, ty të marrin të keqen”.
Debati ka vijuar edhe më tej. Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një postim në rrjetet sociale thekson se: “Nuk kam nga ato halle, që ty ta kanë vrarë gjumin, me shokë e shoqe, që t’i zunë me mollë e dardhë, “pas shpine”, me çyrbet e kapura duke blerë vota krimi për ty, apo “mikun” tënd McGonigal, që sot është në burg, i paguar, për të sajuar poshtërsi ndaj meje.”
/m.m/r.e/