Lala: Shqipëria ka më shumë eksperiencë se Hungaria
Ka mbërritur i pari në grumbullim, jo vetëm sepse Gjermania ku ai aktivizohet, është afër me Hungarinë, por Altin Lala thotë se është gjithnjë korrekt me oraret. "Natyra ime bën që të jem i përpiktë me oraret, sidomos kur bëhet fjalë për ekipin kombëtar. Ndoshta koincidencë, por në këtë moment në hotel (ora 14:30) ndodhem vetëm unë, Skela, Kapllani dhe Bogdani. Pra, garda e vjetër apo jo,"- nis me shaka bisedën telefonike nga hotel "Aeroport Budapest" kapiteni i kombëtares Altin Lala. Në prag të ndeshjes eliminatore me Hungarinë, shtatshkurtri i kuqezinjve flet për këtë sfidë të rëndësishme. "Nuk duhet të druhemi. Me një përqendrim maksimal në lojë, nuk është ndonjë çudi të arrijmë fitoren. Të këtij mendimi jemi si grup,"- vazhdon ai. Për më tej, ja intervista e Altin Lalës, ku flet rreth njohjes së tij për kundërshtarin, mundësive të Shqipërisë, shokut të ekipit te Hanoveri, Husti, si dhe njeriun që do të markojë të shtunën, pikërisht mesfshorin Tamash Hajnal.
- Altin, sa e njihni lojën e Hungarisë?
- E kam parë në dy ndeshjet e fundit, ku ka luajtur shumë mirë, por nuk i ka buzëqeshur rezultati. Disa prej lojtarëve i njoh, pasi luajnë në Bundesligë. Kanë një ekip me lojtarë të rinj dhe shumë të mirë. Ndaj tyre duhet të kemi shumë kujdes.
- Ka ndonjë avantazh Shqipëria në këtë përballje?
- Unë mendoj se kemi një avantazh të madh. Kjo ka të bëjë me eksperiencën e disa prej lojtarëve tanë. Tani është momenti që kjo eksperiencë, imja, Skelës, Bogdanit, Beqajt, Canës etj., të japë frytet e veta përballë një kundërshtari që nuk ka ndonjë nivel më të lartë se ne.
- Sipas jush, të shtunën duhet luftuar për fitore?
- Qëllimi ynë kryesor është të marrim patjetër pikë në këtë ndeshje, ku them se nuk është çudi që edhe të fitojmë. Në fushë duhet të futemi me këtë mentalitet, por natyrisht pa lënë hapësira për kundërshtarin, sepse do të ishte fatale. Në ndeshjet jashtë fushe, edhe barazimi është një rezultat i mirë. E rëndësishme është që të kemi besimin te vetja. Me një përqendrim të madh në lojë, jam i bindur që mund të dalim me tri pikë nga Hungaria.
- E shikoni të stabilizuar repartin e mbrojtjes?
- Së pari, dua të them se me Suedinë dhe Maltën nuk kemi bërë ndeshje të këqija. Edhe pse kemi zhvilluar vetë dy ndeshje, është pozitiv fakti që nuk kemi pësuar asnjë gol. Tani, në ndeshjet jashtë fushe, puna e mbrojtjes duket më mirë, por jam optimist se edhe këtë herë nuk do të pësojmë gol.
- Na flsini pak për Sabolcs Hustin, shokun tuaj te Hanoveri, që këtë herë do ta keni kundërshtar në fushë?
- Husti është lojtari më i mirë i Hungarisë dhe, pse jo, edhe i Hanoverit. Këto ditë kemi biseduar shpesh, edhe pse unë gjithnjë me shaka i kam thënë se kam porositur shokët që të shtunën t'i ndërhyjnë rëndë. Ia kam bërë gati gogol lojën tonë, pasi ai, duke parë mua që luftoj shumë, mendon se si unë ka lojtarë të tjerë në kombëtaren shqiptare. Gjithsesi, për të folur seriozisht, më duhet të them se Husti është një lojtar trim, driblues shumë i mirë dhe mjaft i rrezikshëm me gjuajtjet e tij. Ngaqë gjuan edhe me këmbën e majtë, goditja e tij është shumë e bukur dhe "vdekjeprurëse" për portierët. Mjafton të kujtojmë golin e fundit që shënoi kundër Bajernit të Mynihut.
- Nga cili lojtar hungrez duhet të keni më shumë kujdes?
- Eshtë Tamash Hajnal, një lojtar tipik golashënues, i cili luan si mesfushor i avancuar. Pozicioni që ka në fushë, më ka bërë që të përballem disa herë me të gjatë ndeshjeve të Bundesligës. Edhe në ndeshjen e fundit, ku luajta 15 minuta. E njoh lojën e tij dhe besoj se do t'i fitoj dyluftimet.
"Vendi i parë, më shumë për imazhin e Shqipërisë"
Vendi i parë në grupin 1 eliminator shikohet nga Altin Lala si një nga gjërat më pozitive për imazhin e Shqipërisë. Dhe kapiteni kuqezi këtë e ka vënë re që kur ka shkelur në Gjermani, pas dy ndeshjeve të para me Suedinë dhe Maltën. "Kryesimi i grupit është më shumë për imazhin e Shqipërisë, që gjithnjë ka qenë negativ. M'u bë shumë qejfi kur u ktheva në Gjermani dhe vura re se kjo gjë kishte lënë një impakt të mirë, qoftë tek ata njerëz që njoh, por edhe në shumicën e mediave,"- tregon Lala, i cili pas ndeshjeve eliminatore për Euro 2008-n, e ka ndier veten keq, kur gazetarët gjermanë më shumë e pyesnin për aludimet rreth kombëtares shqiptare sesa paraqitjes së saj.
Kuqezinjtë zhvilluan dje stërvitjen e parë në stadiumin e Vezsezit. Teli dhe Hyka i bashkohen sot grupit
Kombëtarja fillon ditët hungareze
Përgatitjet për ndeshjen eliminatore me Hungarinë kanë nisur dje për kuqezinjtë me një stërvitje të lehtë, që u zhvillua në stadiumin e Vecsezit. Të grumbulluar në hotel "Aeroport Budapest", futbollistët kuqezinj erdhën më së shumti rreth drekës, aty ku gjetën trajnerin Ari Han, ndihmësin e tij të ri Vim Surbier, si dhe përkthyesin Ajet Xeka. Të fundit që mbërritën në Budapest ishin ata që luajnë në kampionatin shqiptar, si Beqiri, Lila, Bakaj, Agolli dhe Vrapi, bashkë me masazhatorin Ylli Mihali. Nën urdhrat e trajnerit Han ishin 20 futbollistë, pasi Admir Teli dhe Jahmir Hyka, për shkak të angazhimit me klubet, do t'i bashkohen sot grupit. Fytyra e re e kombëtares ishte portieri Sajmir Ujkani, që u thirr në vend të Ilion Likës. Për kosovarin, që është pjesë e Palermos, ky është grumbullimi i parë me kuqezinjtë për sa u përket ndeshjeve eliminatore. Ndërkohë, aty rreth orës 18:00, futbollistët u njohën me terrenin, ku për katër ditë të tjera do të kryejnë përgatitjet. Stadiumi i Vecsezit, nga vendi ku janë sistemuar kuqezinjtë është vetëm tri minuta larg. Sipas informacioneve pranë kombëtares, stërvitja e djeshme ishte më shumë shkrydhëse, ku kuqezinjtë kryen vrapime të lehta dhe ushtrime atletike. Intensiteti pritet të rritet sot me dy seanca. Mësohet se Ervin Skela, i cili ka qenë me gjendje gripale, dje u stërvit normalisht me grupin.