E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamallari: Çmojmë mbështetjen e Gjermanisë në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari priti në një takim Anette Kramme, Sekretare Parlamentare e Shtetit, anëtare e Bundestagut gjerman dhe njëkohësisht kryetare e Fondacionit Gjerman për Bashkëpunimin Ligjor Ndërkombëtar (IRZ).

Gjatë bisedës u theksua rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes dy vendeve në fushën e drejtësisë dhe forcimit të institucioneve ligjzbatuese.

Në qendër të diskutimeve ishte procesi i përafrimit të drejtësisë shqiptare me standardet e Bashkimit Europian, konsolidimi i reformës në drejtësi si dhe rritja e efikasitetit të institucioneve të sistemit.

“Diskutuam për bashkëpunimin dypalësh, drejtësinë shqiptare në kushtet e përafrimit me standardet e BE-së dhe konsolidimin e mëtejshëm të reformës që ne bëmë”, theksoi Lamallari.

Ministri Lamallari nënvizoi se mbështetja e Gjermanisë ka qenë thelbësore për avancimin e reformave dhe forcimin e pavarësisë së gjyqësorit.

“Ne e çmojmë shumë mbështetjen e Gjermanisë në procesin e integrimit në BE, në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, ngritjen e kapaciteteve institucionale, përfshi ato digjitale, si dhe modernizimin e infrastrukturës së drejtësisë”, theksoi Lamallari.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›