E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lamallari: Mbështetje mjekësisë ligjore, gur themeli i sistemit të drejtësisë

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, tha sot, gjatë fjalës së mbajtur në konferencën e Akademisë së Shkencave Mjekësore Ligjore (BAFS), se puna e ekspertëve të mjekësisë ligjore lidhet drejtpërdrejt me besueshmërinë e drejtësisë.

Lamallari garantoi se ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të mbështesë plotësisht pavarësinë dhe profesionalizmin e ekspertëve mjeko-ligjorë, si edhe kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në shërbim të shoqërisë.

Në konferencën e zhvilluar në Tiranë morën pjesë ekspertë të njohur të shkencave mjeko-ligjore nga i gjithë Ballkani, si edhe përfaqësues nga Gjermania, Franca, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera.

Gjatë fjalës së tij, ministri Lamallari evidentoi përpjekjet e Shqipërisë për rivitalizimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe për rritjen e standardeve të punës dhe ekspertizës. Ai përmendi gjithashtu investimet për modernizimin e këtij institucioni si rikonstruksioni i plotë i godinës, ngritja e Laboratorit të Toksikologjisë me standardet evropiane, si dhe shtimi i kapaciteteve të Morgut

“Mjekësia ligjore është një gur themeli i sistemit të drejtësisë. Çdo raport ekspertësh kontribuon në hetime të sakta, gjykime të drejta dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Cilësia dhe integriteti i punës mjeko-ligjore lidhen drejtpërdrejt me besueshmërinë e vetë drejtësisë. Pikërisht për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë mbetet plotësisht e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit midis Institutit të Mjekësisë Ligjore, prokurorisë dhe gjyqësorit, duke siguruar që opinionet ekspertëve të vazhdojnë të jenë baza të besueshme për vendimet gjyqësore”, tha ministri Lamallari gjatë fjalës së tij.

Në vijim ai tha se shkenca mjeko-ligjore nuk është thjesht një disiplinë; është një mision në shërbim të së vërtetës, përgjegjësisë dhe dinjitetit njerëzor.

“Ajo është pjesë përbërëse e shtetit të së drejtës, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe transparencës së institucioneve publike. Në këtë frymë, Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të mbështesë plotësisht pavarësinë dhe profesionalizmin e ekspertëve mjeko-ligjorë dhe kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në shërbim të shoqërisë. Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë profesionistët e mjekësisë ligjore për përkushtimin dhe integritetin e tyre në kërkimin e drejtësisë. Për brezin e ri të ekspertëve: puna juaj do të formësojë të ardhmen e kësaj fushe në Shqipëri dhe më gjerë”, deklaroi Ministri i Drejtësisë.

Me organizimin e kësaj konference në Tiranë, Shqipëria i bashkohet rrjetit të vendeve që e vlerësojnë mjekësinë ligjore si një urë thelbësore mes shkencës dhe drejtësisë. Instituti i Mjekësisë Ligjore është i vetmi institucion në të gjithë Shqipërinë, i cili mban një ngarkesë prej rreth 18000 vendime të cilat përkthehen në akte ekspertimi, në fushat: mjekësi ligjore, psikiatri ligjore, toksikologji ligjore, biologji ligjore etj. Pjesën më të madhe të këtij volumi pune brenda vitit e zë mjekësia ligjore me rreth 9500 akt dëshmi, dokumente çështje, autopsi etj.

/m.q//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›