E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamallari: Relativizimi i dhunës, një nga format më të shëmtuara të nxitjes së saj

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari u shpreh sot se relativizimi i dhunës është një nga format më të shëmtuara të nxitjes së saj.

Lamallari replikoi pas një postimi në rrjetet sociale të gazetarit Mentor Kikia, i cili dënon ndalimin e një aktivisti të protestës sipas tij, “nga dy civilë të paidentifikuar”.

Ministri Lamallari e konsideroi këtë koment si minimizim i një akti flagrant dhune ndaj një punonjësi policie, dukshëm i gjakosur pas goditjes në kokë nga individë të dhunshëm të cilët nuk mund të justifikohen kurrsesi në emër të kostove të një proteste.

“Aq më keq pastaj, kur vëmendja dhe përgjegjësia spostohet aty për aty tek mungesa e pajimeve mbrojtëse apo përgjegjësia e eprorëve. Kjo nuk është as më shumë dhe as më pak se fajësimi i ‘viktimës’”, tha Lamallari.

Duke sqaruar opinionin publik lidhur me tymnajën e ‘terrorit’, Lamallari u shpreh se “personat që shoqërojnë qytetarin e shfaqur në videon e publikuar janë punonjës të Policisë së Shtetit, me detyrë agjentë të Policisë Kriminale në një nga Komisariatet në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë”.

“Nga analizimi i pamjeve filmike të administruara, janë identifikuar persona të cilët, gjatë protestës, kanë goditur me sende të forta punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin në krye të detyrës. Si pasojë e këtyre sulmeve janë dëmtuar 6 punonjës policie, 3 prej të cilëve kanë pësuar dëmtime më të rënda fizike”, tha Lamallari.

Në përmbushje të detyrave funksionale dhe në zbatim të ligjit, Lamallari theksoi se “punonjësit e Policisë Kriminale kanë të drejtë të mbajnë në vëzhgim persona të dyshuar për përfshirje apo mbështetje të akteve të dhunshme gjatë tubimeve, si dhe, në momentet e përshtatshme operative, të kryejnë shoqërimin e tyre për veprime të mëtejshme procedurale”.

Sipas tij, punonjësit e Policisë, në momentet e para të ndërhyrjes, i janë prezantuar personit të shoqëruar si agjentë të Policisë Kriminale.

“Policia e Shtetit është e angazhuar në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe ushtron veprimtarinë e saj vetëm brenda kuadrit të përcaktuar nga ligji. Pretendimet për ushtrim “terrori”, të paraqitura në videon e publikuar, nuk qëndrojnë. Punonjësit e Policisë kanë vepruar në përputhje me procedurat standarde të punës dhe protokollet për menaxhimin dhe garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimeve”, tha Lamallari.

Gazetari Mentor Kikia paraqiti sot në rrjetet sociale një video nga ndalimi i një protestuesi, ndërsa e cilësoi aktin e ndalimit “terror nëpër rrugë”.

“Si mundet, që dy civilë të pa identifikuar, të marrin me dhunë një njeri në rrugë, në mes të qytetarëve që shastisen. Sepse ky ishte një aktivist proteste. Edhe pse të protestosh nuk është vepër kriminale! Përplasja në protestë është tjetër gjë. Ndalimi, edhe pa shkak madhor, nga policë me uniformë mund të quhet i pranueshëm. Por, civilë pa asnjë shenjë dalluese, që nuk prezantohen dhe marrin ‘peng’ njerëz në rrugë është e frikshme”, shprehet ndër të tjera Kikia.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›