Lamallari dhe Hita vizitojnë policët e plagosur te Trauma dhe QSUT: Dhuna ndaj uniformave blu do të marrë përgjigjen e ligjit

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita kanë vizituar në Urgjencën e Spitalit të Traumës dhe në QSUT, 3 punonjësit e Policisë së Shtetit të mbetur të plagosur gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë. Pas interesimit për gjendjen shëndetësore të efektivëve dhe takimit me stafin mjekësor, ministri Lamallari dënoi me forcë aktet e dhunës të ushtruara ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.
Lamallari thekson se askush nuk ka të drejtë të abuzojë në emër të të drejtës kushtetuese për tubim duke e shndërruar në dhunë flagrante.
“Dënoj me forcën më të madhe sulmet vandale dhe sjelljen kriminale ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, ku mbetën të plagosur tre efektivë, të cilët ishin në krye të detyrës. Efektivët e Policisë janë punonjës të shtetit, qytetarë të Republikës dhe familjarë si çdokush tjetër. Ata janë në shërbim të ligjit, të rendit publik dhe të sigurisë së çdo qytetari, pa dallim.
Sulmi ndaj tyre është sulm ndaj shtetit dhe rendit kushtetues. Askush nuk ka të drejtë të abuzojë në emër të së drejtës kushtetuese për tubim dhe manifestim paqësor dhe ta shndërrojë atë në dhunë flagrante me gurë të hedhur ndaj punonjësve të Policisë”, deklaroi Lamallari.
Ministri paralajmëroi protestuesit e shoqëruar nga policia se, ky është vetëm hapi i parë në rrugën pa kthim që kanë zgjedhur në përballjen me drejtësinë.
“Secili prej tyre që sot ngriti dorën ndaj punonjësve të ligjit do të ketë të njëjtin fat si frymëzuesit e tyre me molotovë dje dhe që sot fshehën duart duke mos ardhur në parlament. Shoqërimi i tyre nga Policia e Shtetit është vetëm hapi i parë në rrugën pa kthim që ata kanë zgjedhur në përballjen me drejtësinë dhe forcën”, deklaroi Lamallari.
/rtsh.al/