E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamallari viziton efektivët e plagosur: Mjerim i madh e pabesi të përdorësh të miturit për të sulmuar me molotovë


TIRANË, 22 mars/ATSH/ Ministri  Brendshëm, Besfort Lamallari, ka vizituar në Spitalin e Traumës punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët mbetën të plagosur gjatë protestës së opozitës.

Ministri dënon ashpër dhunën ndaj uniformave blu, duke theksuar se përdorimi i molotovëve dhe mjeteve të tjera të rrezikshme ndaj efektivëve që ishin në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë është i papranueshëm.

“Sulmet ndaj uniformës së shtetit janë të patolerueshme,” u shpreh ministri, duke shtuar se Policia e Shtetit ishte në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për përfshirjen e të miturve në akte dhune, duke e cilësuar këtë si një akt të rëndë manipulimi dhe shfrytëzimi.

Sipas tij, përdorimi i fëmijëve për të ndezur molotovë apo për të hedhur fishekzjarre ndaj institucioneve përbën një shkelje të rëndë dhe një përgjegjësi penale për ata që i nxisin.

“Kjo nuk është protestë, por akt i pastër manipulimi dhe shfrytëzim kriminal i të miturve,” theksoi ai.

“Mjerim i madh e pabesi të vësh përpara të miturit, t’i shtysh të ndezin molotovë dhe të hedhin fishekzjarre ndaj institucioneve e punonjësve të Policisë së Shtetit. Kjo nuk është protestë, por akt i pastër manipulimi dhe shfrytëzim kriminal i të miturve. Autorët, organizatorët dhe nxitësit e dhunës do të mbajnë përgjegjësi. Ne do të qëndrojmë fort në mbrojtje të ligjit, institucioneve dhe çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi ministri Lamallari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›