E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamtumirë Birçe Hasko! Personalitete të artit e kulturës, homazhe për ikonën e artit shqiptar

Personalitete të artit e kulturës, por edhe qytetarë të shumtë, i dhanë lamtumirën e fundit ikonës së artit shqiptar, Birçe Hasko. Homazhet u zhvilluan në hollin e Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit.

Artistë të njohur të skenës ndanë kujtimet me aktorin e madh dhe vlerësuan kontributin që ai solli në kinematografi dhe teatër.

“Unë do të thoja që ka humbur shumë. Ka humbur atë aktorin e karaktereve, aktorin e mrekullueshëm që njerëzit e donin shumë. E kam pasur pedagog mentor, i cili më ka udhëhequr dhe i thoja gjithmonë nuk e di, nuk e di se si ndihem para teje. Kam detyrime të mëdha për shumë arsye dhe në fakt të tillë e ndjej veten edhe sot”, tha Petrit Malaj

 “Kinematografia shqiptare pati shansin e madh që ndër ata figurat interpretues të të artit të vetë pati edhe Birçe Haskon, një aktor i cili ë të bënte përshtypje me aftësinë e tij, me përgatitjen e tij dhe mbi të gjitha me modestinë e tij”.

“Birçe Hasko padyshim përbën për kinematografinë shqiptare një pjesë shumë të rëndësishme të historisë për të mos thënë që është vetë historia e saj. Birçe Hasko është padyshim historia e shkollës, pra e fidanishtes së kultivimit të artistëve të artit skenik në përgjithësi në rrafsh mbarë kombëtar”, thanë artistët dhe kolegët e tij.

Birçe Hasko mbahet mend për interpretimet e tij në role komike, ku solli karaktere popullore, shpesh të frymëzuara nga jeta dhe traditat e jugut të Shqipërisë. Me stilin e tij të veçantë, ai arriti të ndërthurë humorin me karakterin e fortë dramatik, duke krijuar figura që mbetën gjatë në kujtesën e publikut.

Gjatë karrierës së tij artistike, ai interpretoi dhjetëra role në teatër dhe film, duke u bërë pjesë e disa prej veprave më të njohura të kinematografisë shqiptare si Njeriu me Top, Koncert në vitin 1936, Radiostacioni dhe Përrallë nga e kaluara.

Me një karrierë të gjatë, Birçe Hasko mbeti gjithmonë besnik i pasionit të tij për teatrin dhe filmin, duke u bërë një shembull për brezat e rinj të artistëve.

Aktori do të prehet në vendlindjen e tij, që e deshi aq shumë, në Dukat të Vlorës.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›