E Enjte, 5 Nëntor 2026

Lanabregasi me qendër të re shëndetësore

Ministrja e Shëndetësisë dhe dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, kanë parë nga afër  Qendrën e re Shëndetësore Lanabregas në periferi të Tiranës, një investim i qeverisë shqiptare në kuadër të programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore. 
“Është një qendër shëndetësore e cila do t’i ofrojë kujdes shëndetësor rreth 5 mijë banorëve të Lanabregasit dhe jemi me të vërtetë të kënaqur që e bëmë realitet një premtim që ju kishim dhënë. Kemi filluar tashmë jo vetëm me programin e rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, ku vetëm qarku i Tiranës ka përfituar nga ky program 52 qendra shëndetësore dhe pika ambulance të rehabilituara, por edhe përshtatjen e ofrimit të shërbimit sipas zhvillimeve demografike që kanë ndodhur në kryeqytet”, tha Manastirliu. 
Ministrja Manastirliu theksoi se pavarësisht pandemisë, po vijohet me investimet në shëndetësi për ndërtimin e projekteve të medha si Materniteti i Tiranës, Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme dhe disa projekte të tjera madhore, me fokus përmirësimin e shërbimit për qytetarët. 
Duke folur për situatën e pandemisë, Ministrja e Shëndetësisë tha se po bëhet një punë e madhe në terren për izolimin e rasteve, ndërsa kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për kufizimin e përhapjes së COVID19. 
” Në 54 pikat e testimit në të gjithë Shqipërinë janë kryer më shumë së 80 mijë teste të shpejta”, tha Manastirliu. 
Duke vlerësuar mjekët e familjes për ndjekjen e pacientëve me covid19, Manastirliu bëri me dije se nga paketa e rimbursimit 100% për barnat në shërbimin ambulator, kanë përfituar mbi 3 mijë qytetarë. 
Ministrja e Shëndetësisë u bëri apel qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë prej rregullave antiCOVID, pasi virusi nuk kursen askënd, as moshat e reja. 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›