Largohen ekspertët e Brukselit

Sot në Bruksel ata do të raportojnë para komisionerit Fule dhe dy krerëve të grupeve parlamentare të PPE-së, Joseph Doul dhe grupit socialist, Martin Schultz.
Takimi mësohet do të zhvillohet sot paradite në selinë “Altiero Spinelli” të Parlamentit Europian në Bruksel.
Të mërkurën në mbrëmje, delegacioni i ekspertëve të Bashkimit Europian, që drejtohet nga zv.shefja e kabinetit të komisionerit për zgjerimin, Jana Katarina Loliç Shindelkova, një zyrtar i Drejtorisë së Zgjerimit, dy përfaqësues të grupeve të Partive Popullore dhe Socialiste dhe një përfaqësues i Këshillit Europian, kanë zhvilluar një takim me të gjithë ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian në Shqipëri, ku ka marrë pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Withers.
Në sy gjatë takimit ka rënë mungesa e përfaqësuesit të Presidencës së BE-së, përkatësisht ambasadorit të Spanjës, Manuel Montobio.
Gjatë ditës së parë të qëndrimit në Tiranë, ekspertët e Brukselit janë takuar me Kryeministrin Sali Berisha, takim që është zhvilluar në zyrën e këtij të fundit dhe me liderin e opozitës, Edi Rama, me të cilin takimi është mbajtur në Bashkinë e Tiranës.
Nga takimet mësohet se ende ka ngelur e pazgjidhur “nyja gordiane” e fletëve të votimit, për të cilat Berisha nuk pranon të lëshojë “pe”, duke theksuar se duhet zbatuar Kodi Zgjedhor për djegien e tyre.