Lavrov: Traktati i ardhshëm Rusi-Iran, bashkëpunim në fushën e mbrojtjes

Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov ka deklaruar se traktati që Rusia dhe Irani synojnë të nënshkruajnë së shpejti do të përfshijë bashkëpunim më të ngushtë në fushën e mbrojtjes.
Lidhjet ushtarake midis dy vendeve përbëjnë një shqetësim të madh për Perëndimin, teksa Rusia po lufton ndaj Ukrainës, ndërsa në Lindjen e Mesme Irani mbështet një numër grupesh terroriste rajonale dhe ka sulmuar dy herë Izraelin me raketa, të cilave Izraeli është përgjigjur me sulme ajrore.
“Traktati për një partneritet gjithëpërfshirës strategjik midis Rusisë dhe Iranit që po përgatitet do të bëhet një faktor serioz në forcimin e marrëdhënieve ruso-iraniane”, tha Lavrov për televizionin shtetëror.
Ai thotë se marrëveshja është duke u përgatitur për nënshkrim “në të ardhmen e afërt”. Rusia ka thënë se pret që presidenti i Iranit Masoud Pezeshkian të vizitojë Moskën para fundit të vitit.
“Do të konfirmojë dëshirën e palëve për një bashkëpunim më të ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe ndërveprimit në interes të paqes dhe sigurisë në nivel rajonal dhe global”, tha Lavrov, ndërsa nuk specifikoi se çfarë forme do të marrin raportet në fushën e mbrojtjes.
/rtsh.al/