Legalizimet, Manja: 30 milionë euro për kompensimin e 15 mijë ish-pronarëve

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Qeveria ka akorduar 30 milionë euro për kompensimin e 15 mijë ish-pronarëve të cilët preken nga procesi i legalizimit.
Lajmin e bëri të ditur sot ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i cili theksoi se nga ky vendim përfitojnë 5200 familje.
“Duke filluar nga sot 5200 familje do të përfitojnë një masë kompensimi për shkak të procesit të legalizimeve një vlerë totale prej 30 milionë eurosh, që qeveria shqiptare ka akorduar për të mbyllur një pjesë të këtij procesi”, tha Manja.
Sipas tij, në total kanë aplikuar 9667 subjekte, të cilët nga vitit 2010 deri në vitin 2024 janë kompensuar në masën 70 % për shkak të procesit të legalizimeve dhe nga ky vit kanë aplikuar për pjesën tjetër të masës prej 30% të kompensimit.
“Bëhet fjalë për 5200 dosje ish-pronarësh pronat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale. Deri tani kanë marrë 5 këste në masën 70% dhe kësti i 6-të është kompensim nga buxheti i shtetit. Sot starton ky proces që do të finalizohet deri ditën e enjte dhe secili nga 15 mijë individët do të ketë në numrin e llogarisë masën e kompensimit”, tha Manja.
Ministri bëri të ditur se nga 9667 dosje të paraqitura nga viti 2010, përfitojnë kompensim këtë vit vetëm 5200 dosje pasi pjesa tjetër ka patur mangësi në dokumentacion. Përfitues nga ky fond janë edhe të gjitha komunitetet fetare.
Ministri Ulsi Manja, deklarate, Foto: Florian Abazaj 1 nga 3/a.f/