Legalizuan tre objekte pa leje në Palasë, dërgohen në gjyq zyrtarët e ASHK, kryetari i fshatit dhe ndërtuesit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë ka dërguar 17 persona në gjyq për veprat penale ‘Falsifikim i dokumenteve’, ‘Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve’ dhe ‘Shpërdorim detyre’, duke përfshirë zyrtarët e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), kryetarin e fshatit Palasë dhe ndërtuesit.
Nga hetimet rezultoi se në fshatin Palasë, Himarë, u ndërtuan pa lejen e organeve kompetente 3 objekte 2-katëshe, për të cilat u aplikua edhe për legalizim në ASHK-në e Vlorës, duke përdorur dokumente të falsifikuara në dosjen e legalizimit.
Në kuadër të këtij procedimi është marrë i pandehur edhe kryetari i Kryesisë së Fshatit Palasë për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, si dhe tre ekspertë, pasi dyshohet se hartuan dokumentacion me të dhëna të rreme për sa i përket kohës së ndërtimit, me qëllim që ato të përfshihen në procedurat e legalizimit.
Në kuadër të procedimit penal nr. 814 të vitit 2020 u caktua edhe masa e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale mbi pasuritë e paluajtshme si më poshtë vijojnë:
- Pasurinë me nr.200/353, me sipërfaqe të bazës së ndërtimi 82 m2 dhe sipërfaqe totale të ndërtimit 195 m2, për banim 195 m2/ për aktivitet 0 m2, me numër katesh 2 dhe sipërfaqe të parcelës ndërtimore 246 m2, i ndërtuar në ZK 2863, Palasë.
- Pasurinë me nr. 200/352, me sipërfaqe të bazës së ndërtimi 79 m2 dhe sipërfaqe totale të ndërtimit 192 m2, për banim 192 m2/ për aktivitet 0 m2, me numër katesh 2 dhe sipërfaqe të parcelës ndërtimore 237 m2, i ndërtuar në ZK 2863, Palasë.
- Pasurinë me nr. 200/351, me sipërfaqe të bazës së ndërtimi 82 m2 dhe sipërfaqe totale të ndërtimit 195 m2, për banim 195 m2/ për aktivitet 0 m2, me numër katesh 2 dhe sipërfaqe të parcelës ndërtimore 246 m2, i ndërtuar në ZK 2863, Palasë.
/rtsh.al/