E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Legjenda e “Arrëthyesit” dhe maratona e tij në TKOB

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Përralla e preferuar e Krishtlindjeve, “Arrëthyesi” erdhi në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit, duke nisur kështu maratonën e 6 netëve magjike.

Baleti me muzikë të Çajkovskit është kthyer tashmë në simbol të periudhës festive të fundvitit, në të gjitha teatrot anembanë botës dhe prej vitesh kjo traditë ka përfshirë edhe Tiranën.

Por si u bë kaq i famshëm “Arrëthyesi” dhe përse për Krishtlindje?

Shumë njerëz besojnë se figura e ushtarit arrëthyes ka lindur me përrallën e Ernst Hoffman “Arrëthyesi dhe mbreti i miut” nga viti 1816. Ishte kjo që frymëzoi suitën e famshme të baletit me muzikë nga Çajkovski, interpretuar për herë të parë në dhjetor të 1892. Por origjina e “Arrëthyesit” është më e vjetër.

Një nga legjendat mbi ushtarin arrëthyes daton rreth shekullit XVIII dhe është vendosur në Gjermani. Një fermer kalonte Krishtlindjen i vetëm duke thyer arra nga pemët e tij. Me kalimin e kohës, u lodh dhe kërkoi ndihmë nga banorët e qytetit, duke i ofruar një shpërblim kujtdo që mund të shpikte një metodë për t’i shtypur arrat pa u lodhur. Kështu dikush krijoi një kukull prej druri në formën e një ushtari, të lyer me ngjyra të ndezura, me nofulla aq të forta që të shtypnin lehtë arrat.

Entuziast dhe i emocionuar për Arrëthyesin e Krishtlindjeve, fermeri vendosi ta dhuronte pasurinë e tij për njerëzit në nevojë.

Legjenda e dytë është më e vjetra dhe daton në shekullin XVI, gjithmonë në të njëjtën zonë të Gjermanisë, ku thuhet se banorët e një qyteti po detyroheshin nga trupat e ushtrisë gjermane të paguanin gjithnjë e më shumë taksa. Në shenjë proteste ata krijuan një ushtar prej druri, funksioni i të cilit ishte të shtypte arrat me nofullën e tij (nga këtu vjen emri gjerman i këtyre ushtarëve (nussknacker); mesa duket protesta funksionoi dhe që atëherë edhe Arrëthyesi u bë simbol fatsjellës. Arrëthyesi është ende një nga dekorimet e Krishtlindjes që nuk mund të mungojë në shtëpi dhe në çdo vend tjetër ku festohet.

1 nga 6

/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›