Lehtësia e papërballueshme e bukurisë
Ridvan Dibra
Prej kohësh kam dashur e ëndërruar të shkruaj një libër para së gjithash të bukur. (Sidomos në këto dhjetë vitet e fundit. Kur, falë edhe ekzistencës sime si mësimdhënës Universiteti, ndihem i tejngopur teorikisht me shumëçka rreth shkencës së letërsisë).
Një libër pa shumë pretendime të tjera, përveçse të jetë thjesht i bukur, siç është, ta zëmë, qelqurina e shtrenjtë në bufenë tuaj të mbushur me çikërrima gjithfarësh.
Një libër që të dëshmojë ndjeshmëri në çdo fletë e fjali të shkruar, duke pasur bindjen se ndjeshmëria vazhdon të jetë po aq elitare sa intelekti, në mos më shumë.
Një libër që të synojë zonat më të thella të qenies, ato të përjetshmet e të përbotshmet (ku dremit e zgjohet Hyjnia ose Kafsha).
Një libër që ti thurë lavde njerëzores (tekst post-romantik kanë për ta quajtur, ndoshta, kritikët e akademikët, këta ashikë të thekur të stërhollimeve, emërtesave e klisheve letrare).
Një libër që, në mënyrën e vet, ti bëjë sfidë e, njëkohësisht, thirrje ndjeshmërisë së humbur apo të sëmurë të bashkëkohësit – më materialist e më sipërfaqësor se kurrë.
Një libër që të respektojë lexuesin e thjeshtë, atë që rrezikojmë ta humbim dita-ditës, por pa harruar edhe lexuesin e niveleve të epërme.
Një libër që ti falet me përkushtim gjuhës së bekuar shqipe dhe mundësive magjike, që jep bujarisht sintaksa e saj.
Një libër homazh dhe jo vetëm për epet dhe legjendat e mrekullueshme të popullit tim – lënë padrejtësisht disi jashtë vëmendjes; sidomos këto kohët e fundit.
Një libër në prozë por që ta kujton Poezinë – aty ku dhe organizimi i fjalëve e i frazave arrin kuotat maksimale – duke vazhduar të besoj se Arti i vërtetë gjithnjë synon drejt saj (ashtu si edhe drejt Muzikës).
Një libër me fabul kinse të parëndësishme, duke synuar që shpërfilljen ndaj saj ta plotësojë Forma (domethënë puna e mundimshme me tekstin), i bindur se ajo mundet me qenë sinonim i thellësisë.
Një libër që ti shpërfillë qëllimshëm nihilizmin e dyshimin e tejkaluar modern, por dhe ironinë e lojnat e shumë-përsëritura postmoderne.
Një libër – në dallim prej të tjerëve para tij – sa më jashtë meje, sa më impersonal e objektiv.
Një libër që, qëllimshëm, ti lërë mënjanë artificet kompozicionalë, duke respektuar deri në adhurim burimin e parë, domethënë legjendën.
Një libër që ti kundërvihet postulatit të Xh. Kallerit se epika rrëfen ngjarje, kurse lirika tenton të jetë vetë ngjarje, duke synuar një epikë që të rrëfejë ngjarje e, njëkohësisht, të jetë vetë ngjarje.
Dhe në fund, një libër që të mbështesë bindjen time estetike se Arti nuk është i thjeshtë sepse dëshiron të jetë i thjeshtë, por sepse dëshiron të jetë art, duke perifrazuar kësisoj e, njëkohësisht, duke kundërshtuar Donald Barthelmin (njërin prej etërve të Tregimit Post-modern Amerikan). Sepse unë vazhdoj ti besoj Platonit kur thoshte që Bukuria e stilit, harmonisë, madhështisë dhe e ritmit të mirë varet nga thjeshtësia.
Një synim të tillë (ndoshta fort ambicioz?) rreket të mbërrijë edhe ky tekst.
Lexim të këndshëm!
Autori