Lehtësohet masa për biznesmenin Gazmend Haxhiu, po hetohet nga SPAK për abuzime me fondet e BE

Në Gjykatën e Posaçme doli për tu njohur me masën e sigurisë këtë të enjte(11 korrik) biznesmeni Gazmend Haxhiu, i vënë nën hetim për abuzimet me fondet e agjencisë së BE-së që drejtonte ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Ai u vu në pranga disa ditë pas operacionit pasi rezultoi të kishte dalë jashtë Shqipërisë. Në gjykatë ai ka mohuar të ketë lidhje me akuzat e ngritura nga SPAK.
Mbrojtja ofroi garanci pasurore për heqjen e masës, gjë që Gjykata nuk e pranoi.
Pavarësisht kësaj, Gjykata e zbuti masën nga arresti në shtëpi në detyrim paraqitjeje për biznesmenin. në dalje, haxhiu nuk iu përgjigj interesit të mediave për njohjet apo lidhjet me Ilir Beqajn.
Gazmend Haxhiu akuzohet si bashkëpunëtor i Ilir Beqaj për një pagesë kateringu 40 mijë euro te restorant “Gzona” për një organizim prej 600 vetash.
SPAK po heton abuzimet me Fondet e Bashkimit Europian dhe për këtë rast po mban në burg ish-ministrin e Shëndetësisë dhe bashkëpunëtorin e tij të afërt Ermal Kurtulaj.
/rtsh.al/