E Hënë, 2 Nëntor 2026

Leja e Drejtimit dhe Karta CAP bëhen një! DPSHTRR: Ndryshimi kursen kohë dhe para për shoferët

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka njoftuar një ndryshim të rëndësishëm që do t’i vijë në ndihmë mijëra shoferëve. Nga dita e sotme, Certifikata e Aftësimit Profesional (CAP) nuk do të jetë më një kartë më vete, por do të përfshihet direkt në lejen e drejtimit, duke u shënuar si Kodi 95.

Ky ndryshim vjen në kuadër të përpjekjeve të DPSHTRR-së për të sjellë standardet evropiane në Shqipëri dhe për të thjeshtuar procedurat për qytetarët.

Çfarë do të thotë ky ndryshim?

Më pak dokumente, më shumë lehtësi. Në vend të dy kartave, shoferët do të kenë vetëm një dokument të unifikuar. Kjo e bën procesin më praktik dhe më të sigurt, duke shmangur nevojën për të mbajtur me vete dy karta të ndryshme.

Ndryshimi eliminon pagesat shtesë për kartonin e veçantë të CAP-it. Përveç kursimit të parave, shoferët do të kursejnë edhe kohë, duke shmangur ecejaket e panevojshme në zyrat e institucionit.

Ky veprim e bën Shqipërinë në një linjë me standardet e Bashkimit Evropian, ku Kodi 95 përdoret gjerësisht për të pasqyruar Certifikatën e Aftësimit Profesional direkt në lejen e drejtimit.

Aplikimi dhe rinovimi i CAP do të bëhet sipas procedurave ekzistuese, por të gjitha të dhënat do të pasqyrohen direkt në lejen tuaj të drejtimit. Kjo vlen si për aplikantët e rinj, ashtu edhe për ata që do të rinovojnë certifikatën.

Me këtë risi, DPSHTRR thekson angazhimin e saj për të ofruar shërbime më të shpejta, më të lehta dhe më të lira për qytetarët.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›