Lejoi ndërtimet e paligjshme, dënohet Kryeinspektori i Bashkisë Divjakë

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasin R.L., kryeinspektor i Bashkisë Divjakë për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’.
Gjatë hetimeve rezultoi se, shtetasi R.L, me detyrë Kryeinspektori i IMTV Bashkia Divjakë, me mosveprimet e tij dhe duke mos përmbushur detyrën funksionale, nuk ka paraqitur kallëzim për rastet e ndërtimeve të paligjshme duke vepruar në kundërshtim me parashikimet e ligjit “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme” si dhe ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
Këto veprime përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës dhe kanë sjellë dëmtimin e interesave të ligjshëm të shtetit.
Ndaj kërkesës së prokurorisë në lidhje me procedimin e mësipërm, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, vendosi deklarimin fajtor i të pandehurit R.L, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe dënimin e tij me 1 vit burgim./a.f/