Lejuan ndërtimin pa leje të tri vilave në Sauk, arrestohen pesë inspektorë të IMT-së në Tiranë

TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Policia e Tiranës arrestoi sot pesë inspektorë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Tiranë dhe një tjetër u vu nën hetim, pasi duke shpërdoruar detyrën, lejuan ndërtimin pa leje të tri objekteve në një zonë rezidenciale në Sauk.
Arrestimi i tyre u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Wrong Project”, si rezultat i aksionit policor me objektiv konstatimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme.
Konkretisht sipas policisë “u ndaluan me iniciativë shtetasit Gj. M., 38 vjeç, K. R., 48 vjeç, A. D., 35 vjeç, O. C., 41 vjeç dhe E. D., 32 vjeç; u procedua në gjendje të lirë shtetasja E. D., 35 vjeçe, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Xh. M., 32 vjeç, K. D., 37 vjeç dhe A. N., 46 vjeç, të gjithë me detyrën Inspektor i IMT Tiranë, pasi dyshohet se me mosveprimet/veprimet e kryera duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar ndërtimin pa leje, të 3 banesave, në zonën rezidenciale. Veprimet operacionale për këta shtetas u kryen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu në pranga të policisë u arrestuan edhe dy persona dhe u shpallën në kërkim 3 të tjerë (administratorë të subjektit ndërtues dhe zbatues të projektit për ndërtimin e tri objekteve).
“U ndaluan shtetasit B. Xh., 35 vjeçe dhe R. Gj., 36 vjeç, me detyra përkatëse drejtuese teknike dhe inxhinier i subjektit për llogari të të cilit janë ndërtuar tri objektet, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. K., 55 vjeçe dhe S. S., 67 vjeç, bashkadministratorë të subjektit ndërtues, dhe shtetasja E. Sh.(Ç.), 45 vjeçe, arkitekte në këtë subjekt. Veprimet operacionale për këta shtetas u kryen për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm””, njoftoi policia.
Policia bëri të ditur se vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të shpallur në kërkim. Gjithashtu, sipas policisë vijojnë hetimet për të dokumentuar përgjegjësinë penale individuale të 14 shtetasve të implikuar në këtë rast.
Ndërkaq, kontrollet dhe verifikimet në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Hapësira publike”, vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/m.q/a.f/r.e/