Lëklerk “bën ligjin” në Teksas

Çështja e titullit “kampion” është vendosur, si përsa i përket garës së pilotëve, ashtu edhe asaj të konstruktorëve, por kjo nuk do të thotë se nuk më arsye për të luftuar në këtë Botëror të Formulës 1, pasi çdo pilot dhe skuadër ka ende diçka për të luftuar gjatë 5 garave të ndryshme, duke nisur që nga Çmimi i Madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Teksas, që ka zhvilluar të premten në mbrëmje vonë me orën e Tiranës provat zyrtare.
Këto prova zyrtare kanë përcaktuar radhën e nisjes për garën e madhe të së dielës dhe, në seancën e parë, i papritur ka qenë eliminimi i dy makinave të skuadrës së “Aston Martin”-it, të drejtuara nga Fernando Alonso dhe Lens Stroll, por edhe ai i makinave “Uilliams”, të Aleksandër Albonit dhe Logan Sarxhentit, por edhe “Haas”-i i Niko Hulkenbergut. Në seancën e dytë është eliminuar edhe makina tjetër “Haas” e Kevin Magnusenit, por edhe dy makinat “Alfa-Romeo”, të Zhu Guanjusë dhe Valteri Botasit dhe dy makinat “AlfaTauri” të Juki Tsunodës dhe Daniel Riçiardos.
Ndërkaq, seanca e 3-të dhe e fundit ka qenë me të vërtetë dramatike, teksa ka parë pilotin e “Ferrari”-t, Sharl Lëklerk të jetë më i shpejti dhe, në përpjekjen e fundit, ka regjistruar kohën më të shpejtë, me 1 minutë, 34 sekonda e 723 të mijëtat, duke marrë për momentin vendin e parë. Por rivali i “Red Bull”-it, Maks Verstapen, e ka ulur me 5 të mijëtat e sekondës këtë kohë, duke e marrë ai vendin e parë, por koha e tij është fshirë për shkak të daljes nga pista me të 4 gomat në xhiron e 19-të dhe të parafundit.
Kështu, Lëklerk niset nga vendi i parë të dielën, për herë të 21-të në karrierë, ndërsa krah tij, nga radha e parë do të niset Lando Norris me “MekLaren”. Nga radha e dytë do të niset Ljuis Hemiltoni i “Mercedes”-it dhe Karlos Sainz i “Ferrari”-t, nga radha e 3-të, Xhorxh Rasëll i “Mercedes”-it dhe Verstapeni, nga radha e 4-t dyshja e “Alpine”, Pjer Gasli dhe Sebastian Okon, ndërsa nga radha e 5-të Serxhio Perez i “Red Bull”-it dhe Oskar Piastri i “MekLaren”-it.
Kujtojmë se Çmimi i Madh të Amerikës rikthen, për të dytën fundjavë radhazi, edhe garën e Sprintit, që zhvillohet të shtunën në mesnatë. Ndërsa gara e madhe të dielën nis në ora 21:00 dhe të gjitha këto do të vijnë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.
KUALIFIKUESET
Rreshti i parë
- Charles Leclerc (Ferrari)
- Lando Norris (McLaren)
Rreshti i dytë
- Lewis Hamilton (Mercedes)
- Carlos Sainz (Ferrari)
Rreshti i tretë
- George Russell (Mercedes)
- Max Verstappen (Red Bull)
Rreshti i katërt
- Pierre Gasly (Alpine)
- Esteban Ocon (Alpine)
Rreshti i pestë
- Segio Perez (Red Bull)
- Oscar Piastri (McLaren)
Rreshti i gjashtë
- Yuki Tsunoda (AlphaTauri)
- Zhou Guanyu (Alfa Romeo)
Rreshti i shtatë
- Valtteri Bottas (Alfa Romeo)
- Kevin Magnussen (Haas)
Rreshti i tetë
- Daniel Ricciardo (AlphaTauri)
- Nico Hulkenberg (Haas)
Rreshti i nëntë
- Fernando Alonso (Aston Martin)
- Alexnader Albon (Williams)
Rreshti i dhjetë
- Lance Stroll (Aston Martin)
- Logan Sargeant (Williams)