Leku ngjitet në kuotën më të lartë në tri javë

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të cilat pasqyrojnë kursin mesatar me pakicë të paradites, euro u këmbye për 138.7 lekë dje.
Në tregun ndërbankar, ku valuta këmbehet në sasi të mëdha, kursi mesatar i këmbimit të euros ra deri në 138.2 lekë dje, ndërsa e mbylli ditën e punës rreth kuotës 138.5 lekë.
Euro ka rënë kundrejt lekut për pesë ditë radhazi dhe ekspertët shpresojnë se në këtë mënyrë, po i largohet kuotës psikologjikisht të rëndësishme prej 140 lekësh.
Shkaku kryesor sipas agjentëve të këmbimit valutor, nuk lidhej me kërkesë-ofertën në tregun shqiptar, por me rënien e fortë të euros në tregun ndërkombëtar.
Euro humbi 1.1 për qind të vlerës së vet kundrejt dollarit, duke shënuar kuotën më të ulët në 11 muaj, si pasojë e faktit që kompania e vlerësimit të borxheve “Fitch” i hoqi një notë cilësisë së borxheve sovrane të Portugalisë.
Ky ndryshim në tregun ndërkombëtar u pasqyrua me shtrenjtim të dollarit dhe me ulje të euros në tregun shqiptar.
Dollari shënoi kuotën më të lartë që nga mesi i vitit 2009 kundrejt monedhës sonë në 103.66 lekë, sipas kursit fiks të publikuar nga Banka e Shqipërisë.
Vlera e dollarit në tregun shqiptar nuk përcaktohet nga kërkesë-oferta për shkak se sasia e dollarit në qarkullim është e papërfillshme.
Historikisht leku shqiptar ka ndjekur euron në ndryshimet kundrejt monedhave të treta si USD apo paund.