E Diel, 1 Nëntor 2026

Leonard Bombaj tërheq në gjyq padinë për shpifje ndaj Enxhit

TIRANE Regjisori Leonard Bombaj tërhiqet nga padia për fyerje dhe shpifje kundër modeles Enxhi Kamenica. Dy ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka pushuar gjykimin penal ku e pandehur ishte 23-vjeçarja Kamenica. Ajo u padit nga regjisori në janar të këtij viti për shkak të disa deklaratave publike në programin televiziv Zonë e lirë. Në këtë program, Kamenica e etiketoi regjisorin si pedofil dhe përdhunues. Lajmi mbi pushimin e gjykimit u konfirmua nga burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës. Gjykata vendosi pushimin e gjykimit të çështjes penale nr.1162 akti, datë 26.01.2012, thuhej në dispozitivin e vendimit të shpallur nga gjyqtarja Ardiana Bera. Burime të Gjykatës sqaruan se shkak për pushimin e gjykimit në seancën e katërt të tij, u bë një kërkesë e vetë regjisorit Bombaj, i cili ka hequr dorë nga ankimi, pasi i ka normalizuar marrëdhëniet me të pandehurën Enxhi Kamenica. Kërkesa në fjalë është pranuar nga Gjykata, që vendosi më pas pushimin e gjykimit. Enxhi Kamenica, vajza e bërë e njohur për publikun nga pjesëmarrja e saj në një nga edicionet e programit Big Brother Albania, u mor si e pandehur më 6 prill të këtij viti. Ajo akuzohej nga Prokuroria për fyerje dhe shpifje. Më herët, një padi civile në emër të saj u depozitua nga ana e regjisorit Leonard Bombaj në Gjykatën e Tiranës. Në padi, regjisori kërkonte dëmshpërblim me 10 milionë lekë të vjetër nga ana e modeles Kamenica. Në thelb, padia kishte frazat e shqiptuara nga modelja në emisionin Zonë e lirë të gazetarit Arjan Çani, mbrëmjen e 21 tetorit 2011. Në këtë emision, Kamenicës iu kërkua nga Çani një opinion mbi konfliktin që Bombaj ka pasur me rreperin Arkimed Lusha, i njohur si Stresi. Mes përgjigjeve të modeles, regjisori është etiketuar si pedofil dhe për-dhunues. Në padi, Bombaj pretendonte se nga thëniet e Kamenicës ishte cenuar në mënyrë të drejtpërdrejtë familja e tij, përfshi djalin e mitur, si edhe nënën 70-vjeçare. Njëkohësisht, thëniet e modeles i kishin anuluar oferta profesionale, një nga të cilat edhe ajo e një kompanie celulare që do ta përdorte zërin e tij në spotet publicitare.            ar.ba

Arsyeja
Strumbullari i deklaratave të modeles Enxhi Kamenica drejt regjisorit Leonard Bombaj ishte skandali në të cilin u përfshi ky i fundit në vitin 2010. Ai u denoncua në polici nga një prej ish-nxënëseve të tij për akuzën e dhunës seksuale. Njëkohësisht Bombaj kallëzoi katër persona, mes të cilëve edhe rreperin Stresi për gjobëvënie. Më pas, Prokuroria e pushoi këtë akuzë ndaj regjisorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›