Leskaj: Borxhi publik u rrit me 1.6 herë; Malaj: Rënie me 14 %

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi se borxhi publik është sot rreth 14 % më i ulët se sa ishte në vitin 2013, kur kjo mazhorancë erdhi në drejtim të vendit.
Malaj iu përgjigj akuzave të ngritura nga deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj për rritje të borxhit publik.
Në fjalën e tij, Leskaj tha se borxhi publik ishte në 2013-ën, 883 miliardë lekë, ndërsa sot ka shkuar në 1.4 triliardë lekë, ose 1.6 herë më i lartë.
“Ulja në raport me PBB-në në 50 % vjen si rezultat i mbiçmimit të lekut dhe nga rritja nominale e PBB-së. Po kështu borxhi publik për frymë është 1.6-1.8 herë më i lartë“, tha Leskaj.
Në replikë me Leskajn, Malaj u shpreh se borxhi publik llogaritet në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe se në vitin 2013 borxhi publik ishte mbi 70 % e PBB-së, ndërsa në 2025 ai do të zbresë në 55.8% .
“Sot borxhi publik është 14 % më i ulët. Borxhi publik për frymë ka qenë 2 300 euro në 2013-ën, por të ardhurat vetëm 3 300 euro pra diferenca ishte 1 mijë euro. Sot borxhi publik për frymë është 5 200 euro, por të ardhurat për frymë janë 10 300 euro që do të thotë diferenca është 5 mijë euro”, deklaroi Malaj.
Njëkohësisht, Malaj shpjegoi se qeveria po harton një skemë të re pensionesh, përmes së cilës sigurohet rritja e pensioneve në vend.
Sipas tij, në terma afatshkurtër, deri sa skema të jetë gati, pensionistët po mbështeten me bonuse. Hartimi i skemës së re së pensioneve, shtoi ai, do të dojë një kohë disa mujore.
Këtë fundvit, solli në vëmendje Malaj, bonusi i pensionistëve u rrit me 3 herë për pensionet deri në 20 mijë lekë dhe 2 herë për ato mbi këtë vlerë.
Njëkohësisht, Malaj bëri të ditur se në projektbuxhetin e vitit që vjen është alokuar një fond për bonusin e fundvitit për pensionistët dhe se ky fond do të shtohet në varësi të performancës së ekonomisë. /j.p/