Letërnjoftimet e reja, qytetarët e parë që iu gëzuan sihariqit

Në ceremoninë e organizuar në Kuvendin komunal të Prishtinës ishin të pranishëm ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Valton Beqiri, kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, si dhe përfaqësues të ambasadave amerikane e zvicerane në Prishtinë dhe përfaqësues të EULEX-it e UNMIK-ut.
Qytetarët e parë që u pajisën me letërnjoftimet e para nga Ministria e Punëve të Brendshme në Komunën e Prishtinës ishin Divina Filipoviç, Gëzim Bajrami, Snezhana Gaqiç, Kemajl Kurteshi, Ivana Milenkoviç, Armend Nuredini, Arjeta Emra, Naim Hajdari dhe Qëndrim Jashari.
Ministri i Punëve të Brendshme, z Pajaziti tha se “sot kam kënaqësinë që për herë të parë, pas një pune të vazhdueshme të një varg institucionesh dhe angazhimit të një numri të madh njerëzish, të nxjerrim para jush dhe t’i shpërndajmë letërnjoftimet e para për qytetarët e Republikës së Kosovës”.
Ai në vazhdim theksoi se ”kam kënaqësinë që pajisja me letërnjoftime po bëhet në kohë të duhur, pikërisht në kohën kur çdo ditë e më shumë qytetarët tanë kanë nevojë për ta dëshmuar identitetin e tyre dhe të shtetit të tyre”.
Në vazhdim ministri i Punëve të Brendshme, foli për aktivitetet që po bëhen për njohjen e Republikës së Kosovës nga shtetet tjera.
“Përveç një falënderimi të veçantë për shtetet që na njohën dje, si Republika e Malit të Zi dhe Republika e Maqedonisë, këtyre shteteve u dërgojmë mesazhin se shteti i Kosovës dhe institucionet e saj, do të bëjë çdo gjë që është e mundur që qytetarët e Kosovës të pajisen me dokumente kualitative dhe me standarde evropiane, si dhe do të jemi partnerë të barabartë në mbërritjen e standardeve jo vetëm për dokumentet e udhëtimit, por edhe për sigurinë në përgjithësi”, - tha ministri Pajaziti.
Duke folur për komunitetet që jetojnë në Kosovë, ministri Pajaziti theksoi se “sot në mesin tonë jo rastësisht kemi pjesëtarë të komuniteteve të pakicave, kemi pjesëtarë nga asociacione, si dhe pjesëtarë të personave me aftësi të kufizuara. Dëshiroj të ritheksoj zotimin tonë, se do të bëjmë gjithçka që është e mundur që të bëjmë shërbime më të mira, më të lehta dhe më të shpejta, në plan të parë për personat me aftësi të kufizuara, për pjesëtarët e komunitetit pakicë që kanë nevoja specifike dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës”.
Të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, i cili e falënderoi MPB-në që e ka zgjedhur Komunën e Prishtinës për t’i shpërndarë letërnjoftimet e para.
a.b/NOA