Letra e Surroit: Ambasadori Dell, si gratë e këqija

Veton Surroi dhe Kristofer Dell
Debati në media e kushedi ku tjetër, mes publicistit kosovar Veton Surroi dhe ambasadorit amerikan në largim, Kristofer Dell, mbi procesin e zgjedhjes së Presidentit vazhdon…, me Surroin që në një letër lamtumire drejtuar Ambasadorit, e quan atë mes të tjerash edhe si gratë e këqija. Letra e gjatë e Surroit po botohet në gazetën Koha ditore, si një revoltë ndaj deklaratave të ambasadorit Dell mbi komentet për darkën e organizuar në shtëpinë e tij gjatë negociatave të përfaqësuesve të partive të mëdha politike të Kosovës mbi një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi që Behgjet Pacolli duhej të linte detyrën pasi mënyra e zgjedhjes së tij ishte antikushtetuese. Ambasadori amerikan tha në një intervistë se Surroi, në atë darkë, i zvarritej Kryeministrit Thaçi për ta zgjedhur atë President. Por Surroi e ka mohuar këtë dhe ka dhënë një tjetër version të ngjarjeve. Në rezidencën tënde fjalët e mia jo vetëm se nuk më mbrojtën – ato edhe u shtrembëruan. Në vend të diplomatit të karrierës, ke degraduar në kategorinë e asaj që në Kosovë njihen si gra të këqija, bartës thashethemesh, edhe aso të shtrembëruara nga ti, shkruan Veton Surroi në letrën e lamtumirës, botuar në Koha Ditore.