E Shtunë, 31 Tetor 2026

Levan-Vlore kalvari i qeverise

Qeveria shqiptare po planifikon të zhbëjë kontratën për ndërtimin e rrugës Levan-Vlorë me kompaninë austriake 'Alpine', për shkak të një konflikti financiar që ka lindur mes palëve.

Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve thanë për Top Channel se kompania e ka lënë pezull rrugën pasi pretendon se qeveria shqiptare duhet t'i paguajë një fond shtesë prej 3.5 milionë eurosh, në formën e dëmit, që i janë shkaktuar nga vonesat.

Por kjo nuk është pranuar nga qeveria dhe burimet bëjnë të ditur që para fundit të këtij muaji, të ketë një zgjidhje përfundimtare, e cila mund të jetë prishja e kontratës ose arritja e një marrëveshjeje për rinisjen e punimeve të lëna pezull.  

Rruga, një nga dështimet më të mëdha

Rruga Levan-Vlorë është një nga dështimet më të mëdha në punët publike me vonesa që kanë tejkaluar cdo limit kohor.

"Eshtë e vërtetë që ka patur probleme të kontraktorit në këtë autostradë, por gjithësesi nëpërmjet procedurave përkatëse kontraktuale ato janë zgjidhur dhe nuk mendoj që shembull i keq të përgjithësohet pastaj", tha Andi Toma, drejtor i Pergjithshem i Rrugeve.

E përuruar nga kryeministri në 24 shkurt të 2007, rruga nisi të ndërtohej një vit më vonë, në qershor të vitit 2008. Fillimisht ndërtimi i rrugës u ndal për shkak të problemeve mes kompanisë 'Alpine' dhe nënkontraktorëve.

"Levan-Vlorë ka qenë një eksperiencë e hidhur për ne, në kuptimin e mosmarrëveshjeve të mëdha të brendshme të kontraktorit me nënkotraktorët e tij. Ne nuk mund të ndërhynim dot, megjithatë kjo eksperiencë mund të shërbejë që në përzgjedhjen e nënkontratorëve të kihet më shumë kujdes se cilët do të jenë ata", theksoi Ylli Gjoni, nendrejtor i Pergjithshem i Rrugeve.

Pak kohë më parë ministri i Punëve Publike përuroi ndërtimin e 16 kilometrave të para, por 'Alpine' tashmë ka lënë pezull pjesën tjetër të rrugës, që duhet të asfaltohet dhe pajiset me sinjalistikën e sigurisë, pasi i kërkon qeverisë 3.5 milionë euro. Tani kur po mbushen gati 5 vjet nga inaugurimi i punimeve rruga vazhdon të shtyhet pafund dhe ende nuk ka një afat zyrtar se kur ajo do të jetë gati për qytetarët.  

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›