E Enjte, 5 Nëntor 2026

Levandovski para Shqipërisë: Të ruajmë qetësinë

Ashtu si Shqipëria, edhe Polonia vijon përgatitjet për ndeshjen e 2 shtatorit, që do të luhet në Varshavë dhe që konsiderohet mjaft e rëndësishme për ecurinë e eliminatoreve të Botërorit, “Katar 2022” për të dyja përfaqësueset. Skuadra polake gjendet në vendin e katërt të Grupit I me 2 pikë më pak se Shqipëria dhe fitorja shihet si e vetmja zgjidhje për përfaqësuesen që drejtohet nga portugezi Paolo Soza.

Pas seancës së radhës stërvitore, në konferencën për shtyp u paraqit bomber i Bajernit, një ndër sulmuesit më të mëdhenj të dekadës së fundit, Robert Levandovski. 33-vjeçari u shpreh se pret që Polonia të dijë të shfrytëzojë eksperiencën e madhe europiane në përballjen me Shqipërinë.

“Duhet të tregojmë se jemi një skuadër e konsoliduar, pavarësisht mungesave. Mendoj se eksperienca jonë do të bëjë diferencën përballë Shqipërisë, ia kemi dalë të arrijmë objektiva të rëndësishëm dhe në këto eliminatore asgjë nuk ndryshon”.

“Kemi ndeshje vendimtare për të luajtur, duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë. Nëse dëshirojmë të kualifikohemi, atëherë duhet të evitojmë gabimet”, tha fillimisht Levandovski. Më tej sulmuesi, i pyetur për Shqipërinë, theksoi se prêt një ndeshje të vështirë, duke vlerësuar mbrojtjen kuqezi.

“Mendoj se kundër Shqipërisë duhet të ruajmë qetësinë dhe të luajmë sa më shpejt. Do të kemi pak hapësira, sepse ata kanë mbrojtje shumë të fortë. E rëndësishme është që të dime të lëvizim pa top dhe të gjejmë hapësira. Jemi të përgatitur për të ushtruar presion lart dhe besoj se do t’ia dalim me sukses”, ka përfunduar Levandovski.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›