Lëviz Rama, kërkon i pari prishjen e koalicionit e ndryshimin e kushtetutës
Konferenca e kryetarëve ka miratuar dje propozimet e Partisë Socialiste për të futur në kalendarin e punimeve të Kuvendit edhe amendimet në Kushtetutë përsa i përket reformës zgjedhore. Këto ndryshime konsistojnë në kalimin në një sistem proporcional me listë shumemërore pa prekur numrin aktual të deputetëve në bazë të shpërndarjes në 12 qarqe. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, tha se kjo është një reformë e ndan vendin dhe politikën nga sistemi i kalbur që kemi aktualisht, nga një sistem që deformon përfaqësimin politik. “Ne besojmë se ky propozim na jep një sistem zgjedhor të drejtë, përfshirës e me përfaqësim politik të ndershëm. Duke bërë këtë propozim ne dëshirojmë një zgjidhje konsensuale, dhe jemi të hapur për kontribute të forcave të tjera politike. Nuk është lojë shifrash çështja e ndarjes në rajone, sepse sipas ndarjes administrative aktualisht Shqipëria është e ndarë në 12 rajone, do të thotë që bëhet kalimi nga zona me lista një emërore në zonë me listë shumë emërore. Besoj se shifrat nuk mund të vijnë sot. Shifrat kanë të bëjnë edhe me variantet që janë brenda këtij sistemi proporcional me lista shumë emërore që ne propozojmë. Unë besoj se forcat e tjera politike do të mbështesin këtë po ta shohin me kujdes. Ky është një sistem që nuk është në favor të një force të vetme politike, por është në favor të Shqipërisë, është në favor të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri” - deklaroi Leskaj. E pyetur në lidhje me mundësinë e amendimeve të tjera në Kushtetute meqë po shënohet edhe precedenti
i dytë i ndërhyrjes pas asaj të riformatimit të Komisionit Qëndror
të Zgjedhjeve, Leskaj tha se aktualisht propozimi konsiston vetëm në çështjen e rregullimit të sistemit zgjedhor në Kushtetutë, ndonëse “në
të ardhmen nuk përjashtohet që versioni i paketës mund të përfshijë edhe elementë të tjerë”. Ndërkaq në lidhje me reagimin kundërshtues të partive të vogla, kryetarja e deputetëve socialistë tha se selia rozë pavarësisht propozimit të djeshëm mbetet gjithsesi e hapur për një proces gjithëpërfshirës dhe konsensual për miratimin e ndryshimeve kushtetuese përfshirë edhe partitë e vogla. “Ne besojmë dhe shpresojmë, që partitë e tjera gjithsashtu, do të jenë të gatshme të pranojnë një sistem, që i shërben shqiptarëve dhe jo individëve apo partive të veçanta qofshin këto të mëdhaja apo të vogla” - konkludoi Leskaj.
Berisha: Do të shqyrtojmë me seriozitet propozimet/I menjëhershëm ka qenë reagimi i liderit të mazhorancës, Sali Berisha ndaj paketës së propozimeve nga ana e Partisë Socialiste. Kryeministri përshëndeti paraqitjen në Kryesinë e Kuvendit, të amendamenteve për ndryshimet e nevojshme në kushtetutë, lidhur me reformën zgjedhore, të paraqitura nga opozita. “Unë dua të garantoj opozitën dhe shqiptarët, u shpreh kryeministri në mbledhjen e Grupit parlamentar, se kjo qeveri e ka bazuar platformën e vet vetëm tek reformat dhe në ketë kontekst mirëpres me kënaqësi çdo lloj bashkëpunimi që opozita ofron për promovimin e tyre, duke ruajtur të pacenuara çdo lloj të drejte për të kritikuar qeverinë” - tha ai. Duke rivlerësuar bashkëpunimin me opozitën si kusht vendimtar për mbarëvajtjen e reformave, kryeministri ftoi deputetët që propozimet e bëra të trajtohen me seriozitet, për të ecur bashkërisht drejt konsolidimit të reformave. “Qeveria nuk mund ta bazojë platformën e vet në kritikat ndaj opozitës. Në një vend normal demokratik qeveria e bazon platformën e vet, në reformat që kryen. Natyrisht reagimet bilaterale janë normale, por ne vlerësojmë shumë ecjen përpara bashkërisht me reformat dhe jo vetëm në ligjet që kërkojnë votime të kualifikuara, por ka ardhur koha që edhe në ligjet e thjeshta ne të përpiqemi të funksionojmë konsensualisht. Ndaj dhe ju ftoj që propozimet e bëra sot, t’i trajtojmë me seriozitetin më të madh dhe të ecim përpara në konsolidimin e reformave” - shtoi më tej. Ndër të tjera kryeministri informoi se një diskutim shumë i frytshëm është bërë për reformën e pensioneve, me qëllim ecjen e saj përpara.
Të vegjlit: Nisma e PS-së po anashkalon komisionin/Po kaq i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i partive të vogla të cilat në një deklaratë për mediat kanë deklaruar se edhe pse propozimi i socialisteve është konform rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, nga ana politike një propozim i tillë tregon anashkalimin që PS dhe PD i bëjnë komisionit të reformës ku ato kanë bashkëkryetarët. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Republikane, Arjan Madhi dhe kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo kanë deklaruar se do të përdorin çdo mjet ligjor që lejon kushtetuta për “veprime të tilla apriori” që marrin partitë e mëdha. Sipas Milos ata do t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese, madje edhe referendumit për mosmiratimin në Kuvendin e Shqipërisë të një sistemi të ri, i cili shkel vendimet dhe punën e komisionit për reformën zgjedhore