Lëvizja Vetëvendosje paralajmëron kandidat për president

PRISHTINË, 1 mars /ATSH/ Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherazi kryeministër i Kosovës, Albin Kurti tha se vendi ka nevojë për një figurë unifikuese në krye të shtetit, ndërsa paralajmëroi se në mungesë të konsensusit, edhe LVV do të propozojë kandidatin e saj për president.
Kurti e nisi fjalimin në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të partisë, duke falënderuar të gjithë aktivistët për angazhimin e tyre në zgjedhje e fund vitit 2025, duke thënë se energjia dhe përkushtimi i tyre u dhanë edhe një rezultat që i jep mandat për të vazhduar punën, reformën dhe qeverisjen e ndershme.
Kurti tha se duke pas kohën e shkurtër për zgjedhjen e presidentit, ka nis menjëherë angazhimin për tejkalimin e kësaj sfide, duke nis takimin me partitë politike.
“Fillimisht ka qenë një pajtueshmëri se vendi ka nevojë për një figurë unifikuese, një figurë e tillë e pajtueshme për të gjithë do të ishte nga familja emblematike Jashari. Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet se një figurë e profesor e personalitet si Murat Jashari do të gëzonte mbështetje nga të gjithë partiake, do të ishte nder për republikën, stabilitet për institucionin dhe siguri për kombin”, tha Kurti, duke shtuar se rrethanat globale dhe kërcënimet nga fqinji ynë verior kërkojnë një moment reflektimi dhe një figurë që i bën ballë shtrëngatave me të cilat mund të përballet vendi ynë.
Sipas tij, ky do të ishte rast ideal, por megjithatë pas takimit të dytë që kishte me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, iu është thënë se presidenti duhet të vijë nga PDK.
“Unë mendoj që kandidati mund të vijë nga cilido subjekt, qoftë nga PDK, LDK, apo Lëvizja Vetëvendosje por në fund zgjedhjen për president nuk e garanton përkatësia partiake por vota në Kuvend. Nëse nuk arrijmë të gjejmë një figurë unifikuese që siguron mbështetjen e së paku 80 deputetëve, atëherë një nga opsionet e mbetura është që secili subjekt të propozojë kandidatin e vet partiak dhe të gjithë t’i nënshtrohen garës para Kuvendit, këtë e parasheh edhe Kushtetuta… nëse subjektet pajtohen që ky të jetë rrugëtimi, pra gara e hapur ku secili subjekt ka kandidatin për president, atëherë edhe ne pajtohemi me këtë qasje dhe LVV do ta ketë kandidatin e saj për president. Si kryetar jam duke u angazhuar maksimalisht që ta tejkalojmë këtë proces dhe vendi mos të shkoj në zgjedhje të reja“, tha ai.
Kurti tha se nesër do të takojë edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. /KosovaPress/