E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar paraqet platformën për zgjidhjen e situatës, ja propozimi

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK), përmes bashkëkryetarëve Ekrem Spahiu dhe Dashamir Shehi, ka prezantuar një platformë me shtatë pika për zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale në vend. Propozimi parashikon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie me bazë të gjerë për Europën, shfuqizimin e katër ligjeve të kundërshtuara nga protestuesit, ndryshimin e reformës territoriale dhe zgjedhore, rishikimin e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 dhe mbështetjen politike për SPAK-un.

Ekrem Spahiu deklaroi se Shqipëria po përballet me një krizë të thellë politike, institucionale, sociale, demografike dhe ekonomike. “Ne nisemi nga parimi se shteti nuk është pronë e atyre që qeverisin, por është institucioni i përbashkët i qytetarëve, ndërsa qeveria është një përgjegjësi e përkohshme”, u shpreh ai, duke prezantuar shtatë pikat e platformës.

Nga ana e tij, Dashamir Shehi argumentoi se dorëheqja e Ramës është kërkesa kryesore e protestuesve dhe se qeveria e re duhet të përfshijë forcat politike parlamentare dhe ato që mbështesin protestat. “Ne gjykojmë që në Europë na fut një qeveri e përbashkët me të gjitha palët, ato që janë në shesh, ato që janë në parlament”, deklaroi Shehi. Ai kërkoi gjithashtu ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke argumentuar se ligji aktual është ndërtuar për dy parti, si dhe mbështetje të qëndrueshme për SPAK-un, pavarësisht se cilët politikanë janë nën hetim.

LZHK bëri të ditur se platforma mbetet e hapur për diskutim dhe negociata me forcat e tjera politike. Shehi theksoi se propozimi nuk është një zgjidhje e përsosur, por një rrugë për të dalë në mënyrë paqësore nga kriza. Ndërkohë, Spahiu rikujtoi mbështetjen e kësaj force politike për protestat qytetare dhe rinore që prej 31 majit, duke njoftuar se përfaqësuesit e saj do të jenë të pranishëm edhe në protestën e radhës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›