Lezhë – Zjarri në Markatomaj djeg pjesërisht një lokal dasmash, dhjetëra zjarrfikës vënë nën kontroll flakët

Një zjarr i përmasave të mëdha ra mesditën e së martës në anë të superstradës Lezhë–Milot, pranë fshatit Markatomaj.
Flakët, të cilat nisën fillimisht në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, u përhapën me shpejtësi dhe dolën jashtë kontrollit për disa orë.
Për shkak të erës dhe temperaturave të larta, zjarri iu afrua zonës së banuar, duke përfshirë edhe një prej restorant të njohur dasmash. Lokali pësoi dëme të konsiderueshme, pasi pjesë të fasadës dhe ambiente të tjera u përfshirë nga flakët.
Për shuarjen e flakëve u angazhuan forca të shumta zjarrfikëse nga Lezha dhe njësitë përreth, të ndihmuara edhe nga strukturat e bashkisë.
Operacioni për izolimin dhe fikjen e zjarrit ka zgjatur rreth dy orë, duke shmangur përhapjen e flakëve drejt banesave të tjera apo bizneseve pranë rrugës nacionale.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa strukturat përgjegjëse kanë nisur hetimet për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.
Ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për pakujdesi apo zjarrvënie të qëllimshme.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/