Lezhë- Vrasja e të riut në Laç pas sherrit për gërvishtjen e pasqyrave të makinës, gjykata lë në burg Klevis Ndrecën dhe Danjel Gjeloshin

Gjykata e Lezhës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest ne burg” për Klevis Ndrecën dhe Danjel Gjeloshin, të cilët u arrestuan nga policia për përplasjen me armë në Laç, ku mbeti i vrarë 1 person dhe u plagosën 4 të tjerë mes të cilëve edhe nje grua e pafajshme që shiste qirinj në rrugë.
Klevis Ndreca u paraqit në gjykatë për tu njohur me masën e sigurisë, ndërsa, Danjel Gjeloshi, i cili po merr mjekim në spital, pasi mbeti i plagosur, u përfaqësua nga avokati i tij mbrojtës.
Pasi dëgjoi palët, gjyqtari Lirim Buluca, e vlerësoi si të ligjshëm arrestimin e dy të rinjëve dhe vendosi ndaj tyre masën e sigurisë, “Arrest me burg”, për veprën penale të vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje.
Nga tërësia e veprimeve hetimore, rezulton se Klevis Ndreca ka qenë në makinë me Amarildo Ndojn, ndërsa Daniel Gjeloshi, 26 vjeç, ka qenë në makinë me Liridon Ismailaj dhe Gerald Bitrin.
Të rinjtë, fillimisht janë përplasur me fjalë për shkak se gjatë lëvizjes me makinë kanë kapur pasqyrat e njëri-tjetrit. Konflikti verbal, 5 minuta më vonë, është rënduar duke shkuar në përdorimin e armëve. Sapo kanë ndaluar dhe kanë zbritur nga makina, Ndreca ka nisur të qëllojë me armë.
Ndreca dhe Gjeloshi kanë qëlluar me armë në drejtim të njëri-tjetrit. Klevis Ndreca ka qëlluar me armë drejt tre të rinjve të tjerë, të cilët i la të plagosur edhe Gerald Bitrin, i cili ndërroi jetë në spital. Nga të shtënat me armë i plagosur aksidentalisht mbeti edhe shoku i tij, Amarildo Ndoj dhe shitësja ambulante. Me armë zjarri pistoletë është kundërpërgjigjur edhe Daniel Gjeloshi.
/rtsh.al/