Lezhë, 55-vjeçari mbron me jetë stanin nga grabitësit
Një 55-vjeçar është vrarë nga grabitësit në tentativë për ti vjedhur stanin e bagëtive, raporton Ora News.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Merqi të Lezhës, ku persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në stanin ku mbante bagëtitë Preng Doda për të vjedhur.
Por, ata janë ndjerë nga i zoti i stanit, i cili është përleshur me ta dhe në një moment, grabitësit e kanë qëlluar me armë zjarri duke i shkaktuar edhe vdekjen.
Dyshimet e para të ngritura nga ekspertët e policisë ngrihen në pistën se autorët janë njohur nga viktima dhe pikërisht për këtë arsye ai është qëlluar me armë zjarri.
Ndërkohë, në vendngjarje policia ka konstatuar edhe shenjat e gomave të një automjeti që dyshohet se i përkiste autorëve të ngjarjes.
Policia e Lezhës ka ngritur disa postblloqe për të bërë të mundur kapjen e autorëve të krimit.
