E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezhë, përmbyten varrezat e qytetit

LEZHË - Rrëke të shumta vërshuan sot mbi varreza duke krijuar përmbytje e vënë në rrezik rrëshqitjen e gjithë varreve. Sipas administratorit të firmës së mirëmbajtjes, Nikoll Lleshi, krahas reshjeve shkak për këtë është mospastrimi i një përroi prej 320 metrash në afërsi të tyre.


Edhe pse po bëhen përpjekje për evadimin e ujit është e pamundur të normalizohet situata. Ai sqaron se situata më problematike është në zonën jug-perëndimore të varrezave që shndërrohet në pellg ujëmbledhës. "Me këtë shqetësim është njohur dhe Bashkia e Lezhës, por realisht mungojnë fondet për të ndërhyrë në përroin në afërsi të varrezave", sqaron ai.


Një tjetër problem që ndeshet prej shumë vitesh është edhe mungesa e vendeve në varrezat publike. Për këtë arsye të gjitha rrugët e brendshme po zaptohen nga varret. Mësohet se Bashkia është në tentative për të gjetur ndonjë sipërfaqe toke për varreza të reja publike. Deri në miratimin e ndonjë sheshi, gjetja e vendit për një varr do të vazhdojë të mbetet problem shqetësues në qytetin e Lezhës.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›