Libri që skandalizoi Kishën, në shqip

I konsideruar si skandaloz nga kleri i krishterë perëndimor katolik e protestant, pasi nxjerr në pah shumë 'cene' të shoqërisë së lartë të Evropës së krishterë perëndimore të shekullit të 18, "Kujtimet e Kazanovës" të Giacomo Girolamo Casanova-s vijnë në gjuhën shqipe.
Një nga librat më të shitur në perëndim për gati dy shekuj, ai sot hidhet në treg në të gjitha libraritë e Shqiperise nën siglën e Shtëpisë Botuese 'HELGA's Secrets' me përkthim të Nikolla Langores dhe redaktim të Alfred Cakos, njofton BW. Ai i kishte munguar rafteve të bibliotekave shqipe, por më në fund do të shijohet edhe në gjuhën e bukur shqipe.
Ashtu si shumë libra të tjerë me vlera të mëdha informuese e artistike, 'Kujtimet e Kazanovës' plotëson një boshllëk që ka ekzistuar për shoqërinë evropiane në periudhën e humanizmit dhe postiluminimit. Ky libër, pavarësisht toneve erotike, por aspak vulgare që trajton, duhet parë si një libër kompleks që tregon me një stil të përsosur historinë evropiane e më gjerë, trajton në mënyrë filozofike njeriun dhe jetën, flet për religjionin, shoqërinë e lartë aristokratike, kodet zakonore, marrëdhëniet ekonomike, shtresëzimin shoqëror, aktivitetin financiar e bankar, marrëdhëniet ndërshtetërore, pozitat e dy gjinive në ambientin familjar e administrativ, etj.
Meqenëse gjuha e përdorur është e një stili shumë etik e familjar, ky libër mund të lexohet nga të gjitha moshat duke nxjerrë në pah vlerat artistike narrative të autorit.
Kazanova, i lindur si Giacomo Girolamo Casanova (2 prill 1725-4 qershor 1798), më vonë i vetëquajtur si Jacques Casanova de Seingalt, ka qenë një udhëtar aventurier dhe shkrimtar i shquar Italian. Libri i tij 'Kujtimet e Kazanovës' është një autobiografi e padyshimtë e tij, vepër e cila është parë si një nga burimet e vërteta të normave zakonore dhe jetës shoqërore europiano-perëndimore përgjatë shekullit të 18-të. /Indeksonline/