E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri shqip, takim në Prishtinë

Stacioni i radhës i librit shqip ishte Prishtina. Me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Shoqata e Botuesve Shqiptarë mori pjesë në Panairin Mbarëkombëtar të Librit Prishtinë 2012. Në këtë takim të rëndësishëm të librit morën pjesë disa prej emrave më të spikatur të letërsisë bashkëkohore shqipe, si: Visar Zhiti, Agron Tufa, Flutura Açka, Uran Butka, Amik Kasoruho etj. Në programin e sotshëm është parashikuar një takim me temën Dialogu i shkrimtarit me letërsinë e tij dhe atë bashkëkohore. Do të referojë botuesja dhe shkrimtarja Flutura Açka mbi Vlerat e letërsisë dhe kontributi i saj në historinë e Shqipërisë. Raporti me letërsinë e huaj e problematika e botimeve në Shqipëri. Visar Zhiti: Mbi traditën dhe  bashkëkohësinë në letërsinë shqipe. Shkrimtari Agron Tufa do të referojë Disidenca në letrat shqipe, Amik Kasoruho për Përkthimet, krijimtaria, kritika. Po sot historiani Uran Butka do të prezantojë librin e tij Masakra e Tivarit dhe do të diskutohet mbi mënyrën si shkruhet historia e kësaj tragjedie dhe si e ka përcjellë regjimi komunist. Gjatë ditës së nesërme do të zhvillohen takime me studentët e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. Bashkëbisedimi do të zhvillohet mbi letërsinë, botimet dhe rolin e librit e leximit në thellimin e kulturës së njeriut. Ndërsa Enver Bytyçi do të mbajë ligjëratën Figura e Ibrahim Rugovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›