E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liderët botërorë kujtojnë ish-kryeministren britanike Thatcher

Liderë të shumtë botërorë kanë kujtuar ish-kryeministren britanike, Margaret Thatcher, e cila ka ndërruar jetë të hënën në moshën 87-vjeçare.

Kryeministri britanik, David Cameron, ka thënë se kemi humbur një udhëheqëse të madhe, një kryeministre të madhe dhe një britanike të madhe.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se Amerika ka humbur një mike të vërtetë, ndërsa bota një kampione të lirisë.

Ish-lideri sovjetik, Mikhail Gorbachev, e ka përshkruar Thatcherin si politikane të shkëlqyeshme dhe individ të ndritur.

Ajo do të mbetet në kujtesën dhe historinë tonë, ka thënë Gorbachev.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, e ka quajtur Thatcherin po ashtu një udhëheqëse të shkëlqyer.

Ish-Kryeministrja britanike Margaret Thatcher ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare për shkak të një hemoragjie cerebrale.

Gruaja e parë Kryeministre në Britani, kishte probleme me shëndetin e saj prej të paktën 10 vjetësh.

Zëdhënësi i saj, Lord Bell dha lajmin se zonja Thatcher ndërroi jetë për shkak të shëndetit të rënduar. “Me dhimbje të thellë fëmijët e saj Mark dhe Carol Thatcher njoftojnë se nëna e tyre baronesha Thatcher vdiq paqësisht mëngjesin e të hënës”, thotë Bell, duke njoftuar se një deklaratë e plotë do të publikohet më vonë.

Kohët e fundit ish-Kryeministrja pati një humbje të përkohshme të kujtesës dhe goditje të herëpashershme nga hemoragjite ne tru.

Thatcher kaloi 11 vjet në Downing Street, periudha më e gjatë që një kryeministër ka qëndruar në detyrë në shekullin e 20-të. Në vitin 1990, ndryshimet në lidershipin e asaj kohe,sollën edhe largimin e saj nga ky post, por dy vite më vonë ajo mori titullin Baronesha Thatcher e Kesteven.

Bashkëshorti i saj Denis, ndërroi jetë në vitin 2003, ndërsa fëmijët Mark dhe Carol jetuan jashtë Britanisë. Vëmendja për jetën e saj dhe karrierën politike, rierdhi në mendjen e publikut, kur Hollywood realizoi një film për të, me të madhen Meryl Streep, që interpretoi rolin kryesor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›