Liga e Kombeve, Shqipëri – Çeki mbyllet në barazim 0-0

TIRANË, 16 nëntor /ATSH-Gjergji Mima/ Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi 0-0 me Çekinë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, në ndeshjen e vlefshme për grupin B1 të Ligës së Kombeve.
Ndeshja ka nisur me një atmosferë elektrizuese të dhuruar nga tifozët në shkallët e stadiumit pas këndimit të himneve kombëtare. Tifozët kuqezi kanë dhuruar spektakël duke shpalosur një baner me një shqiponjë gjigante ku shkruhej “Shqiponjat janë të uritura” (Eagles are hungry).
Trajneri i Kombëtares, Silvinjo ka zbritur në fushë formacionin titullar me rreshtimin me skemën 4-3-3. Në portë Strakosha, në mbrojtje Balliu, Ismajli, Ajeti dhe Mitaj. Në mesfushë Asllani, Ramadani dhe Laçi. Krahët e sulmit mbulohen nga Asani dhe Bajrami, ndërsa maja e sulmit i është besuar Tucit.
Trajneri i Çekisë Ivan Hasek i ka besuar Kovar; Boril, Jemelka, Holes; Provod, Cerv, Soucek, Coufal; Cerny, Chory, Sulc.
Shqipëria e ka nisur mirë takimin teksa në minutën e 4-t Asani kaloi një kundërshtar, por u ndal nga Holes në momentin e fundit, i cili ishte lojtari i fundit dhe e largoi topin.
Në të 13-ën ishte traversa që shpëtoi Shqipërinë. Gjuajtja e Cerv nga jashtë zone, u ndal te trau i portës, pas devijimit të Strakoshës.
Në minutën 16’ Shqipëria pati një rast të mirë me Bajramin, i cili kalon një kundërshtar nga e majta dhe futet në zonë, por gabon në momentin e fundit. Futbollisti kuqezi nuk arrin të pasojë në zonë.
Në minutat 21 dhe 24 çekët patën 2 raste të mira, por fillimisht Mitaj dhe më pas Strakosha larguan rrezikun nga porta kuqezi.
Në minutën 29 zëvendësim i detyruar te Shqipëria. Jasir Asani dëmtohet dhe nuk e vazhdon dot lojën, vendin e tij e merr Taulant Seferi.
Në minutën 42’ Qazim Laçi provon me një gjuajtje nga jashtë zone, por tentativa është e gabuar dhe shkon jashtë, pa probleme për miqtë.
Në minutën 45′ mundësia më e mirë për shënim te Shqipëria. Ivan Balliu kroson nga e djathta në zonë, aty ku Laçi provon me kokë, por e ndal portieri Kovar.
Pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0.
Në minutën e 48-t Çekia rrezikon me Cerny-n, i cili provon me një gjuajtje të fortë nga jashtë zone, por Strakosha largon rrezikun.
Në minutën e 57-të Seferi pretendon për penallti pas një kontakti në zonë, por gjyqtari vazhdon lojën.
Në minutën e 72-të zëvendësim te Shqipëria, Muçi merr vendin e Bajramit.
Dy minuta më pas ishte një ndërhyrje vendimtare e Ismajlit, që largoi një aksion të rrezikshëm.
Në minutën 81 Ernest Muçi lëviz bukur dhe fiton faull në afërsi të zonës së kundërshtarit. Asllani provon nga goditja e dënimit, pa rezultat.
Në minutën e 85-të Silvinjo largoi Laçin dhe Tucin dhe futi në lojë Uzunin dhe Abrashin.
Në minutat e mbetura Kombëtarja kërkoi golin e fitores, por pa rezultat.
Ky barazim e çon Shqipërinë me 7 pikë në grup, po aq sa Gjeorgjia, teksa grupi B1 kryesohet nga Çekia me 8 pikë. Mbyll Ukraina me 5 pikë.
Shqipëri – Çeki 0-0
/r.e/