E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ligji i ri “Për bashkëpronësinë”, Mazniku: Fuqizohet roli i administratorit të pallatit

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku deklaroi sot se ligji i ri “Për bashkëpronësinë“ forcon rolin e bashkisë si aktor inspektues dhe si ndërmjetësues kur ka probleme mes bashkëpronarëve deri në një vlerë të caktuar.

Në një intervistë në medie, Mazniku u shpreh se do ketë një këshill në çdo bashki për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

“Ndërrojmë rrënjësisht rolin e administratorit, së pari të regjistrohet si një person juridik pranë organeve tatimore, duke marrë numër nipti në mënyrë që faturat që ai lëshon të jenë fiskale. Kjo nuk do rrisë bazë fiskale për administratorin, por do formalizojë faturat dhe do rrisë fuqinë e tij për të marrë pagesat”, tha ai.

Sipas Maznikut, deri tani është punuar me bazën ligjore të vitit 1998, që nuk përputhet me situatën aktuale të vendit.

“Një pjesë e mirë e njerëzve jetojnë në pallate, që kanë nevojë për mirëmbajtje, është e nevojshme që të kemi rregulla të reja dhe ndarje të qartë të roleve, që ka bashkia, banorët, kryesia, administratori i objektit. Së pari bashkitë do kenë një libër të bashkëpronësisë, si një regjistër me të dhënat si është ndërtuar objekti, ka ashensor, ka asamble, ka depo uji. Një seri të dhënash për çdo objekt”, deklaroi ai.

Mazniku shpjegoi se ligji detyron çdo pronë që ka më shumë se 4 apo 5 njësi bashkëpronësie të ketë një administrator të regjistruar pranë njësive respektive.

Admninistratori, tha ai, do të ketë mekanizmat e duhur ligjorë që të ushtrojë detyrën e tij.

“Ligji cakton përgjegjësi për administratorin dhe personin që bën dëm. Ai duhet të mbledhë të ardhurat kur është krijuar një dëm i tillë, me dashje ose padashje”, shtoi Mazniku.

Ministri bëri të ditur se shpërndarja e grantit bëhet në bazë të numrit të popullsisë, por asnjë bashki nuk do marrë më pak buxhet se një vit më parë.

Mazniku foli edhe për zgjedhjet e ardhshme.

Mazniku u ndal dhe te propozimi i PS-së për për mbajtjen e zgjeshjeve të përgjithshme më datë 11 maj.

“Kemi një ushtrim që ka të bëjë së pari me votën e emigrantëve dhe mendoj se kjo datë na jep kohë. Duke marrë parasysh se në javët pararendëse janë dy festa të rëndësishme, do të ishte e udhës t’i kishim zgjedhjet më 11 maj. Por ky është vendim që duhet ta marrë Presidenti”, tha ai.

Mazniku e konsideroi të pakuptimtë argumentin e paraqitur nga disa parti të vogla opozitare për mbajtjen e zgjedhjeve para Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, duke e lidhur atë me mundësinë e ndikimit elektoral.

“Ne gjatë vitit të fundit kemi pasur një seri mbledhjesh të rëndësishme në Tiranë, hapja e Kolegjit të Evropës. Një aktivitet tjetër i drejtuesve të Europës në Shqipëri nuk është më gjë e re, nuk ka pse të ketë impakt elektoral”, u shpreh ai.

Ndërsa lidhur me bonusin e fundvitit për pensionistët, dhe premtimin për një tjetër në pranverë, Mazniku deklaroi se është një instrument për përfshirjen e kësaj kategorie në rritjen ekonomike. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›